×
Thursday, April 30, 2026

Bajram Begaj nga Kuçovë: “Forca Ajrore sot kontribuon në sigurinë kolektive të NATO”

April 30, 2026


Në bazën ajrore taktike të NATO në Kuçovë u zhvillua ceremonia e 75-vjetorit të krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar, me pjesëmarrjen e drejtuesve më të lartë të shtetit dhe Forcave të Armatosura.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vendosi theksin te transformimi i Forcës Ajrore ndër vite, duke e lidhur atë me rrugëtimin e vetë Shqipërisë:

“Historia e Forcës Ajrore është histori transformimi. Një transformim që ka ndjekur vetë rrugën e Shqipërisë: nga izolimi, tek integrimi, nga teknologjia e kufizuar, te standardet e Aleancës”.

Duke u ndalur te zhvillimet aktuale, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e investimeve në modernizim dhe rolin e ri që po merr kjo forcë:

“Plani i modernizimit të Forcës Ajrore është ambicioz dhe i nevojshëm. Modernizimi i flotës me helikopterë, zhvillimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të bazuar në tokë, ngritja e Detashmentit të Avionëve pa Pilotë, plotësimi i sistemit të integruar të vëzhgimit ajror dhe transformimi i bazës si Bazë Taktike Ajrore e NATO-s janë investime me të cilat ne kemi hapur një kapitull të ri. Një kapitull ku Forca Ajrore nuk është vetëm garant i sovranitetit, por është edhe kontribues aktiv në sigurinë kolektive”.

Presidenti Begaj nënvizoi gjithashtu se këto arritje nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë, duke veçuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në përfundim të fjalës së tij, ai u drejtua me një mesazh vlerësimi për të gjithë ata që kanë shërbyer dhe vijojnë të shërbejnë në Forcën Ajrore:

“Efektivëve që shërbejnë sot në Forcën Ajrore, pilotëve, teknikëve, kontrollorëve, meteorologëve dhe çdo ushtaraku e civili të kësaj force u them: ju jeni trashëgimtarët e denjë të 75 viteve histori. Ju ndërtuat themelet dhe mbi ato themele ne vijojmë të ndërtojmë”.

Ceremonia përkujtoi edhe fillesat e aviacionit ushtarak shqiptar, që datojnë më 24 prill 1951, duke shënuar një rrugëtim të gjatë transformimi, që sot e pozicionon Shqipërinë si një kontribuese aktive në kuadër të NATO.




Comments are closed.