“Mendova se ishte tabaka”/ Trump reagon pas incidentit: Melania sinjalizoi rrezikun e para
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar pas incidentit të së shtunës gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke ndarë për herë të parë përjetimin e tij nga momentet e tensionuara.
Trump tregoi se fillimisht nuk e kishte kuptuar rrezikun, pasi zhurmat i kishte interpretuar si diçka të zakonshme. Sipas tij, në momentet e para mendoi se bëhej fjalë për një tabaka që kishte rënë, derisa situata u bë më e qartë.
Ai shtoi se vetëm më vonë kuptoi se në sallë ndodhej një person i armatosur, ndërsa disa nga të pranishmit e kuptuan menjëherë rrezikun, ndërsa të tjerë jo. Presidenti pranoi se ndoshta duhej të kishte reaguar më shpejt, ndërsa përpiqej të kuptonte çfarë po ndodhte.
Duke folur për bashkëshorten e tij, Melania Trump, ai theksoi se ajo kishte reaguar më intuitivisht ndaj situatës, duke e ndjerë menjëherë se diçka nuk ishte në rregull.
I pyetur për arsyet pse mendon se është shpesh në shënjestër, Trump bëri një krahasim me Abraham Lincoln, duke deklaruar se figurat me ndikim të madh janë zakonisht objekt sulmesh.
Në momentin e incidentit, Trump ndodhej në sallën e vallëzimit të hotelit Washington Hilton, ku po zhvillohej aktiviteti tradicional, duke biseduar me bashkëshorten e tij.
Pavarësisht situatës së tensionuar, ai tentoi ta lehtësonte momentin me humor, duke e cilësuar detyrën e tij si një “profesion të rrezikshëm”, ndërsa shtoi se është i vendosur të vijojë punën e tij pavarësisht sfidave.







