×
Sunday, April 26, 2026

Reagime globale pas incidentit në SHBA, liderët dënojnë dhunën dhe shprehin solidaritet me Trump

April 26, 2026


Udhëheqës nga e gjithë bota kanë reaguar pas incidentit me të shtëna me armë gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke dënuar ashpër dhunën dhe duke shprehur mbështetje për autoritetet amerikane.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, u shpreh i lehtësuar që Donald Trump, zonja e parë dhe të gjithë të pranishmit janë të sigurt, duke shtuar se mendimet e tij janë me të gjithë ata që janë prekur nga ky incident.

Nga ana tjetër, kryeministri australian Anthony Albanese vlerësoi reagimin e shpejtë të forcave të sigurisë, duke theksuar se është i kënaqur që nuk ka pasur pasoja për pjesëmarrësit.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se dhuna politike nuk ka vend në demokraci, duke shprehur mbështetje për presidentin amerikan dhe të pranishmit.

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se çdo sulm ndaj institucioneve demokratike ose lirisë së shtypit duhet të ndëshkohet në format më të ashpra.

Reagime erdhën edhe nga liderë të tjerë botërorë. Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez, dënoi fuqishëm tentativën e sulmit dhe përcolli urimet më të mira për të gjithë të pranishmit.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, u shpreh i tronditur nga ngjarja dhe përcolli mendimet dhe lutjet e tij për Trumpin.

Ndërkohë, kryeministri i Indisë, Narendra Modi, dërgoi urimet më të mira për sigurinë dhe mirëqenien e presidentit amerikan, zonjës së parë dhe zëvendëspresidentit.

Edhe presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, reagoi duke theksuar se dhuna nuk duhet të jetë kurrë një rrugë, duke shprehur respekt dhe solidaritet për të pranishmit.

Ngjarja ka nxitur reagime të gjera ndërkombëtare, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e garantimit të sigurisë në aktivitete të nivelit të lartë dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.




Comments are closed.