×
Sunday, April 26, 2026

Të shtëna në darkën e Trump me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti largohet me urgjencë. Një agjent sekret në spital, arrestohet autori

April 26, 2026


Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump u larguan me urgjencë nga darka e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë pasi një person i armatosur hapi zjarr.

Nata më e madhe e vitit në Uashington u kthye në kaos pasi të shtëna u dëgjuan në hollin e hotelit Washington Hilton rreth orës 20:15.

Presidenti dhe Zonja e Parë u dërguan menjëherë në një ambient të sigurt, të ndjekur nga anëtarë të kabinetit. Eventi luksoz sapo kishte nisur kur një i dyshuar i armatosur me një “armë të fuqishme” hyri me forcë në hollin e hotelit.

Mijëra të ftuar u detyruan të fshiheshin poshtë tavolinave dhe karrigeve, ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret hynë në sallë duke u kërkuar të gjithëve të mbroheshin. Qindra gazetarë nisën të telefononin për të raportuar zhvillimet.

Një agjent i Shërbimit Sekret u qëllua, por sipas një burimi për Daily Mail, ai kishte veshur jelek mbrojtës. Nuk janë raportuar të lënduar dhe Presidenti konfirmoi më vonë se autori i të shtënave është “arrestuar”. Ai dhe Zonja e Parë janë larguar nga hoteli dhe janë kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti po merrte pjesë në këtë event për herë të parë që nga viti 2011 dhe pritej të nderohej si dhe të mbante një fjalim.

Shërbimi Sekret dhe autoritetet e tjera mbushën sallën e banketit në Washington Hilton, ndërsa qindra të ftuar që po hanin u fshehën poshtë tavolinave. “Largohuni nga rruga, zotëri!” bërtiti dikush, ndërsa të tjerë bërtisnin që të uleshin poshtë. “Shërbimi Sekret i SHBA-së, në koordinim me Policinë Metropolitane, po heton një incident me të shtëna pranë zonës kryesore të kontrollit me detektorë metali në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Një person është në paraburgim,” tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për Daily Mail.

Gjendja e personave të përfshirë nuk dihet ende dhe autoritetet po vlerësojnë situatën.

08:24 Detajet e ngjarjes dhe dyshimet e policisë, i dyshuari në darkën e Trump ishte mysafir në hotelin Washington Hilton

Personi i dyshuar i armatosur që sulmoi një pikë kontrolli sigurie në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke e detyruar Presidentin Donald Trump të evakuohej, është identifikuar si Cole Tomas Allen, thanë për CNN tre burime të njohura me çështjen. Burri 31-vjeçar nga Kalifornia studioi inxhinieri dhe është i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Kalifornisë, i njohur edhe si Caltech, sipas materialeve të ndara me CNN.

08:07 I diplomuar për inxhinieri, kush është autori nga Kalifornia që qëlloi me armë në darkën e Presidentit Trump me gazetarët

Presidenti Donald Trump tha se një i dyshuar është arrestuar pasi u dëgjuan të shtëna pranë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në Uashington DC, duke shtuar se autoritetet federale po hetojnë banesën e tij në Kaliforni. “Personi është arrestuar. Ata po shkojnë në apartamentin e tij. Mendoj se jeton në Kaliforni, dhe është një person i sëmurë, shumë i sëmurë, dhe ne nuk duam që gjëra të tilla të ndodhin,” tha Trump pasi u shoqërua jashtë skenës gjatë incidentit.

04:55 Autori kalon me vrap kordonin e sigurisë së Presidentit Trump, nis të qëllojë brenda ambienteve ku mbahej darka me gazetarët

Pak momente para se të dilte në konferencë për shtyp, Presidenti Trump publikoi në llogarinë e tij në Truth Social videon e marrë nga kamerat e sigurisë që tregon momentin kur autori i arrestuar kalon kordonin e sigurisë për tu futur në ambientet ku mbahej darka me gazetarët. Presidenti thotë se sapo ka postuar në rrjetet sociale një foto të personit që ndodhet në paraburgim, si dhe pamje nga kamerat e sigurisë që duket se tregojnë fillimin e të shtënave.

04:45 Ky është autori i dyshuar që qëlloi me armë në darkën e Presidentit me gazetarët. Trump: U neutralizua nga disa agjentë të guximshëm

Presidenti Trump tha në mbrëmje se “një person sulmoi një pikë kontrolli sigurie i armatosur me disa armë”. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë pasi u largua me urgjencë nga skena në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se “një person sulmoi një pikë kontrolli sigurie i armatosur me disa armë”. Presidenti nuk u lëndua dhe një i dyshuar është në paraburgim.

04:13 Darka e Presidentit Trump me gazetarët, autori qëlloi ndaj njërit prej agjentëve të Shërbimit Sekret

Një agjent i Shërbimit Sekret të SHBA-së u qëllua gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë të shtunën në mbrëmje, sipas tre personave të informuar që folën për CNN. Plumbi goditi pajisjen mbrojtëse të agjentit dhe ai u dërgua në një spital lokal. Gjendja e tij nuk ishte menjëherë e qartë.

03:58 “Autorin e kisha vetëm pak metra larg”, gazetari i CNN tregon momentin kur nisën të shtënat: Ishte i shtrirë në tokë kur filloi të gjuante

Gazetari i CNN, Wolf Blitzer, ishte vetëm pak metra larg një personi të armatosur që filloi të qëllonte gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në hotelin Washington Hilton. “Autori ishte qartësisht i shtrirë në tokë duke qëlluar kur e pashë, isha vetëm disa metra larg,” kujtoi gazetari veteran të shtunën në mbrëmje.




Comments are closed.