“Daily Mail”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira për turizëm solo në 2026-ën
Udhëtimet solo po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në botë dhe nuk konsiderohen më një trend i ri, por një mënyrë normale dhe e preferuar udhëtimi për shumë turistë, shkruan Erin Deborah Waks në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Daily Mail”.
Sipas një studimi të publikuar në platformën “Freetour”, e cila lidh turistët me guida lokale në 145 vende, destinacionet më të mira për udhëtime solo në vitin 2026, janë ato që ofrojnë siguri, lehtësi orientimi dhe mundësi për ndërveprim social.
Në këtë listë spikat edhe Tirana, duke e vendosur Shqipërinë si një destinacion kryesor në hartën e turizmit ndërkombëtar.
Sipas CEO-s së “Freetour”, Ignacio Merino, ajo që ka më shumë rëndësi për udhëtimet solo është nëse një qytet të bën të ndihesh i lidhur me mjedisin përreth.
“Destinacionet më të mira për udhëtime solo, janë ato që janë të lehta për t’u orientuar dhe që ofrojnë akses të vërtetë në jetën lokale”, u shpreh ai.
Tirana, Shqipëri
Tirana po shfaqet si një nga destinacionet kryesore për udhëtimet solo në Evropë.
Qyteti cilësohet si ende i paprekur nga turizmi masiv, me një atmosferë autentike dhe banorë mikpritës.
Shqipëria, në tërësi po përjeton një rritje të madhe të turizmit ndërkombëtar, me një rritje prej 56% të vizitorëve midis viteve 2019 dhe 2023, sipas Organizatës Botërore të Turizmit.
Një tjetër faktor që e bën Tiranën tërheqëse është çmimi i ulët.
Fluturimet nga Aeroporti Stansted i Londrës drejt Tiranës në prill, ofrohen me një kosto prej vetëm 15 paundësh me kompaninë “Ryanair”, duke e bërë atë një nga opsionet më të përballueshme në Evropë për vizitorët solo.
Ekspertët theksojnë se Tirana është një destinacion që kombinon lehtësinë e eksplorimit, koston e ulët dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me jetën lokale, duke e bërë gjithnjë e më tërheqëse për turistët që kërkojnë eksperienca autentike.
Destinacionet kryesore për udhëtime solo në vitin 2026 përfshijnë:
Tiranë, Shqipëri
Tokio, Japoni
Londër, Britani e Madhe
Madrid, Spanjë
Chiang Mai, Tajlandë
Medellin, Kolumbi
Queenstown, Zelanda e Re
Reykjavik, Islandë
Lisbonë, Portugali
Kioto, Japoni
Romë, Itali
Vjenë, Austri
Hanoi, Vietnam
La Fortuna, Kosta Rika
Mynih, Gjermani //a.i/







