Karakaçi: Shqipëria, kampione e energjisë së rinovueshme në rajon
Në Mal të Zi u zhvillua sot ministeriali i për energjinë, në kuadër të procesit të Berlinit dhe përpjekjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për përafrimin me Bashkimin Evropian. Ky forum shërbeu si një platformë bashkëbisedimi mes institucioneve financiare ndërkombëtare, ministrive të energjisë dhe aktorëve privatë që synojnë të investojnë në rajon.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si pjesë e këtij forumi u shpreh se gjatë diskutimeve, u vu theksi te progresi i bërë nga vendet e rajonit në sektorin energjetik, si dhe te sfidat që i presin në rrugën drejt integrimit evropian.
Sipas Karakaçit, Shqipëria u paraqit si një nga vendet më të avancuara në rajon në drejtim të energjisë së rinovueshme.
“Gjatë diskutimeve u theksuan qartë të gjitha politikat mbështetëse që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme. Shqipëria vazhdon të jetë kampione në energjinë e rinovueshme në rajon, jo vetëm përmes skemave mbështetëse si ankandet, por edhe falë investimeve që kanë marrë jetë, veçanërisht në energjinë fotovoltaike, të realizuara pa mbështetje qeveritare dhe vetëm me iniciativë private.
Një nga problematikat kryesore të ngritura nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ishte taksa e karbonit e implementuar nga Bashkimi Evropian. Kjo nënkupton që çdo prodhim i energjisë elektrike jo nga burime të rinovueshme në vendet e rajonit do të tatohet shtesë nga BE”, tha Karakaçi.
Ministri Karakaçi nënvizoi se kjo përbën një mundësi shumë të mirë për Shqipërinë, pasi duke qenë vend lider në energjinë e rinovueshme në rajon, vendi ynë mund të shfrytëzojë këtë avantazh për të rritur më tej investimet në energjinë e pastër.
“Kjo politikë e re e BE-së e gjen Shqipërinë shumë të përgatitur, madje në një pozicion më konkurrues krahasuar me vendet e tjera të rajonit”, vijoi Karakaçi.







