Zgjerimi i BE-së, investim strategjik për Europën
Në kuadër të Forumit Ekonomik te Delfit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin për Punët e Jashtme të Republikës së Moldavisë, Mihai Popșoi.
Hoxha theksoi në një postim në rrjetin social X se, “ky takim ishte një mundësi e vyer për të shkëmbyer pikëpamje dhe për të ndarë vlerësime mbi angazhimin tonë aktiv dhe dinamik në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
“Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për të ndarë përvojën e saj dhe për të vijuar ta bëjë këtë sa herë që është e dobishme, në frymën e miqësisë dhe partneritetit të ngushtë mes vendeve tona, si vende partnere sot dhe anëtare të ardhshme të Bashkimit Europian”, theksoi Hoxha.
Ai nënvizoi gjithashtu se zgjerimi i BE-së duhet parë si një investim strategjik për sigurinë e Europës.
“Ne e konsiderojmë zgjerimin si një investim strategjik për sigurinë e Europës dhe për ndërtimin e një kontinenti më të bashkuar, më të qëndrueshëm dhe më rezistent ndaj sfidave të së ardhmes”, shkroi Hoxha.







