Takim publik në Lezhë për reformën, Mazniku: Synojmë funksionalitetin, numri i bashkive dytësor
Në Lezhë është zhvilluar takimi i parë konsultues publik në kuadër të reformës territoriale, duke shënuar nisjen e një serie dëgjesash në të gjithë vendin.
Bashkëkryetari i kësaj reforme, Arbjan Mazniku e cilësoi këtë si një moment të rëndësishëm për hapjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aktorët vendorë.
“Është një privilegj i jashtëzakonshëm që sot zhvillojmë takimin e parë konsultues publik. Ky është i pari i një serie dëgjesash në të gjithë Shqipërinë, për të bërë një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe aktorët vendor,” u shpreh Mazniku.
Sipas tij, pjesa më e madhe e çështjeve që prekin qytetarët lidhen drejtpërdrejt me pushtetin vendor.
“Rreth 90% e çështjeve lidhen me bashkinë. Jeta e përditshme është e lidhur me pushtetin vendor dhe kur njerëzit mendojnë për shtetin, në fakt mendojnë për ndërveprimin e përditshëm që kanë me bashkinë,” tha ai.
Mazniku ngriti disa pyetje kyçe për funksionimin e bashkive, duke vënë në fokus kompetencat, financat dhe kapacitetet e tyre.
“A i kanë bashkitë të gjitha kompetencat? A i kanë mundësitë financiare? Si qëndron raporti mes të ardhurave që mbledhin vetë dhe atyre që marrin nga qeveria? A kanë burime të mjaftueshme teknike për të ofruar shërbimet e tyre?” – theksoi ai.
Mazniku shtoi se ky debat nuk duhet të mbetet vetëm në nivel politik, por duhet të zhvillohet drejtpërdrejt me qytetarët, me përfshirjen e të gjithë spektrit politik dhe përfaqësuesve të qarkut.
Duke u ndalur te konteksti aktual, Mazniku theksoi se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm, në prag të integrimit në Bashkimin Europian, çka lidhet edhe me aftësinë e bashkive për të tërhequr investime dhe për të bashkëpunuar në mënyrë efektive.
Në përfundim, ai nënvizoi se qëllimi i kësaj reforme është të krijojë një hapësirë reale diskutimi për të identifikuar problematikat dhe për të përmirësuar funksionimin e pushtetit vendor, ndërsa çështja e territorit mbetet një element i rëndësishëm, por dytësor në këtë proces.
Nga ana tjetër bashkëkryetari Luçiano Boçi, vuri theksin tek dështimi i reformës së 2014-ës, ku tha se “Në këndvështrimin tonë dhe të ekspertëve, sot reforma e vitit 2014 pas 10 viteve, ka prodhuar një kontrast të jetës sociale në Shqipëri dhe kontrast ekonomik. Ka mungesa investimesh, mungojnë shërbimet shlndetësore dhe sociale që prek qytetarët, dhe pasoja është shpopullimi. Veriu është më i shpopulluar, sepse jugu ka më shumë bashki”.







