×
Wednesday, April 22, 2026

Gjermania kundër sanksioneve të ashpra të BE-së ndaj Izraelit

April 21, 2026


Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul ka kundërshtuar propozimet për vendosjen e sanksioneve të gjera të Bashkimit Evropian ndaj Izraelit, duke i cilësuar këto masa si të papërshtatshme.

Duke folur në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ai deklaroi se hapat si heqja e përfitimeve nga tregtia e lirë nuk ishin zgjidhja e duhur.

Megjithatë, Wadephul theksoi se çështjet problematike duhej të diskutoheshin hapur me Izraelin.

Ai përmendi si shqetësime kryesore dhunën e kolonëve në Bregun Perëndimor dhe zhvillime të tjera të fundit, duke kërkuar që qeveria izraelite të reagojë më fort dhe në përputhje me shtetin e së drejtës.

Sipas tij, nuk duhet të ketë aneksim të territorit në këtë zonë.

Ndërkohë, Spanja ka mbajtur një qëndrim më kritik. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares i bëri thirrje BE-së të marrë masa më të ashpra ndaj Izraelit, përfshirë rikthimin në tryezë të propozimit për pezullimin e përfitimeve tregtare.

Albares paralajmëroi se Bashkimi Evropian rrezikon të humbasë besueshmërinë nëse nuk kërkon ndryshim kursi nga Izraeli, duke dënuar shkeljet e armëpushimit në Gaza dhe zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor.

Ai gjithashtu e cilësoi ndërhyrjen izraelite në Liban si një “luftë pushtimi në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”. 




Comments are closed.