Rama në Athinë, takimi me Mitsotakis: T’i ngremë marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri
Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria dhe Greqia duhet t’i ngrenë marrëdhëniet në një nivel të ri, teksa postoi në rrjetet sociale, foto nga takimi me homologun Kyriakos Mitsotakis në Athinë.
Rama shprehet se me Mitsotakis e lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar dy vendet.
Sipas kreut të qeverisë, po punohet për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik.
“Athinë – Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkruan Rama.







