Ministrja Koçiu me homologun italian Piantedosi, nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit “Misioni kundër drogës”
Në kuadër të takimit të parë të përbashkët ndërqeveritar Shqipëri–Itali, që u zhvillua sot në Romë, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim të frytshëm me Ministrin e Brendshëm të Italisë, Matteo Piantedosi.
Në qendër të bisedës ishin forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë, lufta kundër trafikut të narkotikëve, krimit të organizuar e pastrimit të parave, si dhe shkëmbimi i eksperiencave në trajnimin e policisë.
Në prani të të dy ministrave, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit “Misioni kundër drogës” ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Drejtorisë Qendrore të Shërbimeve Kundër Drogës të Republikës Italiane. Ky dokument synon rritjen e cilësisë së bashkëpunimit operacional, lehtësimin e shkëmbimit të informacionit mbi grupet kriminale, forcimin e operacioneve dhe hetimeve të përbashkëta, si dhe zgjerimin e programeve të trajnimit dhe shkëmbimeve profesionale midis strukturave policore të dy vendeve.
Ministrja Koçiu nënvizoi angazhimin për të nisur punën mbi një memorandum të ri të përbashkët, që do të forcojë bashkëpunimin në identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve të fituara nga veprimtari kriminale, si prioritet i përbashkët i dy qeverive.
Po ashtu, u vlerësua mbështetja e vazhdueshme italiane për Akademinë e Sigurisë, në kuadër të marrëveshjes së vitit 2023, përmes së cilës janë trajnuar deri tani 68 studentë dhe pedagogë shqiptarë në akademitë e
Policisë italiane.
Ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi akademik dhe harmonizimit të programeve të formimit policor, për të mundësuar njohje të ndërsjellë të diplomave dhe rritje të standardeve të trajnimit.
“Ky është një hap i rëndësishëm përpara, që tregon se kur ekziston besim dhe vizion i përbashkët, rezultatet janë të qëndrueshme dhe në dobi të sigurisë së qytetarëve tanë,” u shpreh Ministrja Koçiu pas takimit në rrjetet sociale.
Takimi dhe nënshkrimi i memorandumit përfaqësojnë një moment të ri në bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë, duke thelluar më tej partneritetin e gjatë mes dy vendeve mike.







