Rama e Meloni firmosin marrëveshjet dypalëshe dhe memorandumet e mirëkuptimit
Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni firmosën sot marrëveshjet mes dy vendeve mbi bashkëpunimin strategjik në disa fusha.
Rama dhe Meloni shkëmbyen marrëveshjet dypalëshe dhe memorandumet e mirëkuptimit, të nënshkruara në kuadër të mbledhjes së parë të përbashkët të dy qeverive në Romë.
Marrëveshjet ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Italisë që u nënshkruan sot në Romë garantojnë bashkëpunimin strategjik në fushat e kujdesit shëndetësor, energjisë, mjedisit, industrisë së sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimit të migracionit, arsimit, inovacionit, diasporës, transformimit ekonomik dhe rritjes së zgjuar.
Në total bëhet fjalë për 16 marrëveshje të reja bashkëpunimi në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik mes dy vendeve.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve nga dy zyrtarët e lartë u bë në ambientet e jashtme të Vila Doria Pamphilj, rezidencë historike e shekullit të 17-të dhe një nga parqet më të mëdha publike në Romë, ku do të zhvillohen eventet e ditës së sotme.







