×
Friday, October 31, 2025

Rama në Francë: BE duhet të ketë planin e vet të paqes

October 30, 2025


Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin e Paqes në Paris, nismë e presidentit francez Emmanuel Macron, ku edhe këtë vit personalitete nga e gjithë bota mblidhen me në fokus bashkëpunimin mes tyre si dhe për të diskutuar mbi sfidat globale dhe rendin ndërkombëtar.

Në fjalën e tij, Rama foli për krizën e rendit global dhe mungesën e një reflektimi të thellë në Evropë.

“Ne duhet të bëjmë një dush përulësie sepse edhe sot, edhe pse bota po ekspozon tërësisht ujërat që ziejnë në marrëdhëniet midis vendeve, ne vazhdojmë të mendojmë që ka diçka që nuk shkon me botën dhe që është vetëm një moment në kohë dhe gjërat do të kthehen siç ishin”, tha Rama duke e cilësuar këtë si thelbësisht të gabuar.

Sipas tij, ka një lloj vetëkënaqësie që ka nisur të bëhet gjithmonë edhe më i dëmshëm.

Prandaj shtoi Rama ndër të tjera, Evropa, përballë krizave që po përshkojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, duhet të shkundet nga vetëkënaqësia dhe të marrë përgjegjësi reale për paqen.

“Unë besoj se ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye të këtij viti dhe po flas për atë që Donald Trump e përshkroi si plani preciz i Zotit për ta shpëtuar, në mënyrë që të shpëtonte Amerikën. Është sipas meje, diçka që nëse Zoti kishte vërtetë një plan, pjesë e këtij plani ishte dhe të zgjonte Europën”, nënvizoi Rama.

Kryeministri vijoi fjalën e tij duke theksuar se “nuk po e shoh Europën të zgjohet, të zgjohet në mënyrën siç duhet”.

“Për mua është mjaft shqetësuese që ende sot, edhe pas asaj çfarë ka ndodhur me jashtë-kontraktimin e politikës së jashtme të Bashkimit Europian tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Europian që ka qëndruar në autopilotin e SHBA-së, ende nuk ka një plan europian paqeje. Ka vetëm një qasje binare ndaj një konflikti që ka potencial të jashtëzakonshëm për të degjeneruar në diçka katastrofike”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit.

Rama deklaroi se Bashkimi Europian duhet të ketë planin e vet të paqes.

”Çfarë do të jetë, sido që të duket, por paralelisht me luftimin, pra, me bërjen e luftës dhe mbështetjen e Ukrainës, dhe me shumë të drejtë, Bashkimi Europian duhet të ketë planin e vet të paqes dhe duhet të ketë komunikimin e vet të drejtpërdrejt me Rusinë dhe me këdo tjetër që gjendet në mes apo nga ana tjetër”, nënvizoi Rama.




Comments are closed.