Metani: Proceset përtej afateve nga ngarkesa e gjyqtarëve
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani raportoi sot në Kuvend mbi aktivitetin vjetor ku u ndal te ankesat, hetimet e procedimet disiplinore dhe inspektimet tematike që janë kryer nga ILD përgjatë 2024.
Metani theksoi se ILD është institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore, fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorive.
“Gjatë vitit 2024 janë depozituar pranë ILD, 1491 ankesa të reja ndaj gjyqtarëve e prokurorëve. 1363 ankesa vijuan të mbartura nga vitet e mëparshme. Në total, për vitin 2024, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga këto, janë shqyrtuar 1374 ankesa, nga të cilat 54 kanë përfunduar me hetim disiplinor”, theksoi Metani.
Përveç qytetarëve, vijoi Metani, ankues gjatë vitit 2024 ka patur edhe institucione të sistemit, si kryetar gjykate me 2 ankesa, drejtues të prokurorive me 20 ankesa, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me 2 përcjellje për kompetencë dhe Gjykata e Lartë me 4 vendimmarrje për konstatim të shkeljes së afatit të arsyeshëm.
Metani vuri në dukje se “përveç ankesave ILD ka shqyrtuar edhe një numër të konsiderueshëm kërkesash nga KLP e KLGJ, për vlerësimin e magjistratëve për periudha të ndryshme vlerësimi. Për 118 kërkesa të sjella nga Këshillat, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka shqyrtuar 674 ankesa dhe janë në faza të ndryshme trajtimi 11 ankesa.
“Edhe gjatë vitit korrent, dy Këshillat kanë përcjellë kërkesa për ILD në kuadër të nevojës për vlerësimin e magjistratëve. 71 kërkesa kanë ardhura nga Këshillat deri në fund të shtatorit, për të cilat ILD ka shqyrtuar 842 ankesa dhe 5 ankesa janë në fazë verifikimi. Pra vetëm për vitin 2024 deri në shtator 2025 janë 1534 ankesa për trajtim nga ILD me kërkesë të Këshillave”, nënvizoi Metani.
Sipas tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka trajtuar 1516 ankesa, vetëm 18 ankesa janë në proces.
Kreu i ILD-së u shpreh se “është një punë voluminoze dhe trajtimi i tyre bëhet me prioritet për të mos penguar KLGJ-në e KLP-në në proceset e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, edhe në funksion të ngritjeve në detyrë e transferimeve, sipas nevojave të Gjykatave e Prokurorive për të plotësuar vakancat e tyre”.
Gjatë vitit 2024, nga ankesat për të cilat ka nisur hetim disiplinor, ILD ka nxjerrë 23 vendime për 25 magjistratë (11 prokurorë, 13 gjyqtarë dhe 1 anëtar këshilli), nga të cilat, 10 vendime të nisura me iniciativë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë vitit 2024 janë vijuar edhe hetimet e filluara nga viti 2023.
“Nga hetimet e nisura me iniciativë, në dy raste Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer edhe hetime pasurore, nisur nga të dhënat e denoncuara në publik”, tha Metani.
Metani adresoi edhe disa problematika në sistemin e drejtësisë, siç është kohëzgjatja e afateve gjyqësore.
“Arsyeja e parë që ka ndikuar në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme është ngarkesa e magjistratëve të kësaj gjykate. Për vitin 2023, ngarkesa mesatare e punës për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka qenë mesatarisht 1176 çështje për gjykim, ndërkohë që për gjyqtarët pranë gjykatave të të njëjtit nivel gjyqësor ka qenë 841.7 çështje për gjyqtar”, tha Metani.
Kreu i ILD-së theksoi se “Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë rezulton të jetë gjykata me numrin më të lartë të çështjeve të mbartura për vitin 2023, me një numër total 19275 çështje që përbën 48% të stokut total për gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm. Po ashtu, kjo gjykatë rezulton të ketë regjistruar edhe numrin më të lartë të çështjeve të reja gjatë vitit 2023, konkretisht 31833 çështje, që përbëjnë 38% të totalit të çështjeve të regjistruara në nivel kombëtar për këtë grup gjykatash”.
Sipas tij, për vitin 2023, numri i gjyqtarëve në organikën e miratuar të kësaj gjykate është 80 gjyqtarë, ndërkohë që efektivisht kanë ushtruar detyrën gjatë vitit 2023, vetëm 43 gjyqtarë.
“Gjatë periudhës objekt inspektimi, në Dhomën Civile kanë ushtruar funksionin 26 gjyqtarë, të cilët kanë shpallur 1748 vendime gjyqësore civile me palë kundërshtare”, shtoi ai.
Arsyeja e dytë, tha Metani janë vakancat e paplotësuara pranë kësaj gjykate.
Ndërsa arsyeja e tretë, shtoi Metani, është infrastruktura.
Kreu i ILD-së, Artur Metani iu përgjigj edhe pyetjeve të deputetëve të opozitës. Metani i pyetur për rastin e gjyqtares së Posaçme Irena Gjoka, tha se duhet të pritur fundi i hetimit penal.
Metani tha se në fund të procesit penal, do të vlerësohet nga ILD nëse ka fakte për të filluar një procedurë disiplinore ndaj Irena Gjokës.







