×
Thursday, October 23, 2025

A do të japin efekt sanksionet e Trump ndaj gjigantëve të naftës ruse,  dhe pse tani?

October 23, 2025


Vendimi i administratës  sç presidentitTrump për të vendosur sanksione të ashpra ndaj “Rosneft” dhe “Lukoil”, dy kolonave të industrisë energjetike ruse, shënon kthesën e parë të fortë të Uashingtonit ndaj Kremlinit që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë. sipas “The Guardian”.

Synimi është i qartë: “goditja e burimit financiar që mban në këmbë luftën e Rusisë në Ukrainë”. Por pyetja që ngrihet është nëse ky presion do të jetë realisht efektiv dhe pse Trump zgjodhi pikërisht këtë moment për ta ndërmarrë lëvizjen,.

 Presioni ekonomik: potencial i madh, por me shumë kusht

Të ardhurat nga energjia përbëjnë rreth një të katërtën e buxhetit të shtetit rus, ndërsa Rosneft dhe Lukoil gjenerojnë gati gjysmën e eksporteve të naftës së vendit. Goditja e tyre prek direkt arkën e Kremlinit. Për më tepër, Uashingtoni ka paralajmëruar sanksione dytësore ndaj bankave të huaja që ndihmojnë në transaksionet e tyre, një mjet që në teori mund të frenojë edhe blerës të mëdhenj si India, Kina dhe Turqia.

Megjithatë, eksperienca e dekadës së fundit tregon se Moska është e aftë të devijojë sanksionet, duke krijuar rrjete paralelë tregtarë dhe duke shitur me çmime nën treg. Prandaj, efekti real i paketës do të varet nga sa agresivisht do të zbatohet masa ndaj bankave dhe ndërmjetësve financiarë. Pa këtë hallkë, sanksionet mund të përfundojnë si një tjetër sinjal politik pa rezultat strategjik.

Pse tani? Tre arsyet reale pas lëvizjes së Trump

Edhe pse Trump kishte premtuar se mund ta zgjidhte konfliktin “brenda 24 orëve”, realiteti në terren ka dëshmuar të kundërtën. Vendimi për sanksionet vjen në këtë moment për tre arsye kryesore:

1. Bllokimi i diplomacisë me Moskën, takimi i planifikuar me Putinin dështoi dheUashingtoni është irrituar nga refuzimi rus për të ndryshuar pozicionet në negociata.

2. Presioni nga aleatët europianë dhe Kongresi, BE, Britania dhe Kievi kërkonin veprim, ndërsa Trump rrezikonte të dukej i butë ndaj Rusisë.

3. Nevoja për një fitore politike të dukshme, presidenti amerikan ka nevojë të tregojë vendosmëri, sidomos pasi retorika e tij mbi Ukrainën ka qenë e paqëndrueshme dhe kontradiktore.

Megjithatë,  presidenti Trump mbetet i kufizuar nga një faktor i brendshëm amerikan: çmimi i karburanteve.

Nëse sanksionet ngrenë çmimin e naftës në tregjet globale, ai rrezikon të dëmtojë prioritetin kryesor elektoral,  koston e jetesës. Kjo do të thotë se presioni i tij ndaj Rusisë ka një “vijë të kuqe” ekonomike.

Konkluzioni: një lëvizje e fortë, por jo vendimtare

Sanksionet e reja përbëjnë hapin më të ashpër të administratës Trump kundër Moskës që prej janarit dhe në letër kanë potencial të dëmtojnë rëndë financat e Kremlinit.

Por ato nuk janë automatikisht një armë vendimtare. Rusia ka eksperiencë, alternativa dhe partnerë të mëdhenj që nuk e ndjekin verbërisht Perëndimin.

Nëse Uashingtoni do ta çojë deri në fund, duke ndëshkuar bankat ndërkombëtare dhe mbyllur kanalet financiare, sanksionet mund të kthehen në një mbytje graduale të motorit ekonomik rus. Nëse jo, ato do të mbeten presion i kufizuar, i bërë më shumë për efekt politik sesa për ndryshim strategjik. 




Comments are closed.