Kallas: Brukseli e konsideron të pakëndshme vizitën e Putinit në Hungari


Nuk është mirë që presidenti rus, Vladimir Putin të udhëtojë në Hungari – një vend anëtar i BE-së – për bisedime mbi konfliktin ne Ukrainë, tha sot shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, sipas “Reuters”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi të enjten se së shpejti do të takohej me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Budapest.
“Brukseli e konsideron të pakëndshme të shohë në një kryeqytet evropian një person që i nënshtrohet një urdhërarresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC)”, tha Kallas.

“BE mirëpret përpjekjet e Uashingtonit për të arritur paqen”, shtoi ajo – ndërsa theksoi rëndësinë e një takimi midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit rus, Putin.
“Amerika ka forcën për të ushtruar presion mbi Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave, nëse ata e përdorin këtë, atëherë, do të ishte mirë nëse Rusia do ta ndalte këtë luftë”, tha Kallas.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhërarresti për Putinin pas akuzave për rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve dhe të miturve nga territoret e pushtuara ukrainase në Rusi – ndërsa Hungaria njoftoi në prill planet për t’u tërhequr nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), dhe parlamenti i saj miratoi vendimin në maj.
“Lidhur me Budapestin, jo, nuk është mirë… të shohësh që një person – që i nënshtrohet një urdhërarresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale – vjen në një vend evropian”, shtoi Kallas.

