Rama: Identiteti Digjital gati në fillim të 2026


Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Identiteti Digjital do të vendoset në dispozicion të publikut në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa e cilësoi këtë “një hap domethënës për Shqipërinë në rrugën e saj drejt modernizimit teknologjik të jetës sociale dhe ekonomike”.
Në aktivitetin për prezantimin e Identitetit Digjital, Rama theksoi se më shumë se një mjet identifikimi, ky është çelësi për të hyrë në një epokë të re të sigurisë dhe lehtësisë së shërbimeve për qytetarët.
“Prej disa kohësh tanimë ne jemi angazhuar me shumë dëshirë por edhe me ambicie për të krijuar Identitetin Digjital, i cili është baza e një kapërcimi tepër të madh në të ardhmen falë teknologjisë”, tha Rama.

Kryeministri informoi se objektivi i shpallur në Bashkimin Europian është që në vitin 2027 qytetarët e BE-së të pajisen me identitetin e tyre digjital, ndërsa në Shqipëri do të ndodhë një vit më parë, pra në 2026.
“E theksoj këtë jo për të nënkuptuar apo afirmuar ndonjë përparësi tonën, por për të rikujtuar edhe njëherë se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon atë dhe i drejtohet asaj për të kapërcyer pengesa që ndonjëherë janë edhe historike, është një bekim i kësaj kohe”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se përmes teknologjisë digjitale dhe së fundmi inteligjencës artificiale vendet mund të imagjinojnë të kapërcejnë epoka.
Rama vlerësoi punën e kompanisë shtetërore IdentiTek, një institucion i ri i cili sipas tij, “po provon dita-ditës se si një kompani publike mund t’i zërë vendin një kompanie private e cila deri dje bënte shërbimin e publikut me karta identiteti”.
“Kjo duke qenë më e lirë në çmim, më efecientë në cilësinë e shërbimit dhe mbi të gjitha shumë më inovative në shërbim të publikut dhe në shërbim të së nesërmes të vendit. Ne kemi një besim të madh te potenciali i kësaj kompanie dhe kemi një ambicie të madhe për këtë kompani”, shtoi Rama.
Rama u ndal edhe te krijimi i një tjetër kompanie në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, kompaninë publike “AlbTrace”.
“Kjo kompani do të na ndihmojë të bëjmë gjurmueshmërinë në kohë reale të të gjitha produkteve; të rrisim në mënyrë të paimagjinueshme, deri më sot, kontrollin dhe sigurinë e produkteve, të ulim në mënyrë shumë domethënëse, edhe në këtë aspekt, informalitetin dhe të gjitha ato pasoja që ky i fundit sjell në cilësinë e jetës, por edhe në vetë shëndetin e njerëzve”, u shpreh Rama.
Këto dy kompani publike, Kryeministri u shpreh besimplotë se do të sjellin ndryshime domethënëse dhe do të modernizojmë në mënyrë domethënëse mënyrën e funksionimit të kësaj shoqërie.

