×
Monday, October 20, 2025

Gara për kreun e SPAK, KLP miraton katër kandidatë

October 20, 2025


Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) miratoi sot listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore të kandidimit për drejtues në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar.

Konkretisht KLP miratoi emrat e katër kandidatëve, Adnan Xholi, Klodian Braho, Doloreza Musabelliu dhe Ervin Gogaj, të gjithë prokurorë aktualë të SPAK.

Vendimi u mor me 10 vota pro të anëtarëve të KLP-së, ndërsa anëtari Zeqir Hoda mungoi në votim për këtë çështje.

Pas verifikimit të kushteve ligjore dhe dokumentacionit, kandidatët do të ftohen për t’u intervistuar publikisht nga KLP.

Ky proces vjen në prag të përfundimit të mandatit 3-vjeçar të Altin Dumanit më 18 dhjetor. Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK-ut që nga krijimi i institucionit, pas Arben Krajës.

Tetë prokurorët e SPAK kanë një mandat 9-vjeçar, ndërsa mandati i kreut të SPAK është 3 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje.

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit u krijua më datë 19 dhjetor 2019, si një nga institucionet e reja të Reformës në Drejtësi.




Comments are closed.