×
Sunday, October 19, 2025

Paralajmëron SHBA: Hamasi mund të shkelë armëpushimin dhe të sulmojë civilët. Trump kërcënon: Nëse kjo ndodh…

October 19, 2025


Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të shtunën se ka marrë “raporte të besueshme” për një sulm të afërt të planifikuar nga Hamasi ndaj civilëve në Gaza, një veprim që sipas Uashingtonit do të përbënte një shkelje armëpushimit.

Në deklaratën zyrtare, SHBA tha se kishte informuar partnerët dhe garantuesit e marrëveshjes, përfshirë Egjiptin, Katarin dhe Turqinë dhe kërkoi që Hamasi ta respektojë kushtin e pezullimit të sulmeve; po ashtu paralajmëroi se “nëse Hamas ndërmerr këtë sulm, do të merren masa për të mbrojtur popullin e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit”.
Departamenti nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën e raportuar të sulmit apo burimet e informacionit, dhe Hamasi nuk ka komentuar deri tani.

Paralelisht me këtë paralajmërim, presidenti Donald Trump ripërsëriti qëndrimin e tij kundër vrasjeve të civilëve në Gaza, duke shkruar në “Truth Social” se nëse “Hamasi vazhdon të vrasë njerëz, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveçse të veprojnë”. Më tej ai theksoi se nuk do të dërgonte trupa amerikane në Gaza. Komenti vjen ndërsa marrëveshja e armëpushimit ndodhet në fazën e parë, sipas kushteve të saj, të gjithë pengjet e gjallë janë liruar dhe trupat e të vrarëve po kthehen gradualisht në Izrael; zyrtarët izraelitë thanë se deri tani janë kthyer trupat e 10 nga 28 pengjeve që humbën jetën.
Ndërkohë, Izraeli njoftoi se ka marrë nga Gaza dy trupa të tjerë që Hamas pretendon se janë pengje, por ato ende nuk janë identifikuar zyrtarisht. Kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi se pika kufitare e Rafah mes Gazës dhe Egjiptit do të mbetet e mbyllur deri sa të kthehen trupat e të gjithë pengjeve vendim që pengon qasjen jetike për ndihma humanitare dhe largimin e të plagosurve.
Tensionet vazhduan edhe me një incident tjetër tragjik: ministria e mbrojtjes civile e Gazës, e kontrolluar nga Hamas, raportoi se një predhë e ushtrisë izraelite goditi një automjet, duke vrarë 11 anëtarë të të njëjtës familje, ngjarja më vdekjeprurëse që nga nisja e armëpushimit. Ushtria izraelite tha se kishte qëlluar ndaj një “automjeti të dyshimtë” që supozohej se kishte kaluar “vijën e verdhë”, një demarkacion të brendshëm që tregonte praninë e forcave izraelite; nuk ka shenja fizike që tregojnë ekzistencën e kësaj vije dhe nuk është konfirmuar nëse automjeti e kishte kaluar atë, njoftoi BBC, që ka kërkuar sqarime zyrtare nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF).
Kjo valë paralajmërimesh dhe incidente vjen në sfondin e konfliktit më të gjerë të shkaktuar pas sulmit të 7 tetorit 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamas sulmuan jugun e Izraelit, ngjarje që la të vrarë rreth 1,200 persona dhe mori 251 pengje, sipas autoriteteve izraelite. Që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza, e cila autorizohet nga OKB si burim i besueshëm për viktimat civile, të paktën 68,000 palestinezë kanë humbur jetën nga sulmet izraelite, shifra që ka ngjallur reagime ndërkombëtare dhe shqetësime humanitare të thella. Në shtator, një komisionhetimor i OKB-së arriti në përfundimin se veprimet e Izraelit përbënin gjenocid, një akuzë që qeveria izraelite e hodhi poshtë si të “shtrembëruar dhe të gabuar”.fpres
Situata mbetet e ndjeshme dhe e paparashikueshme: Uashingtoni ka bërë thirrje për zbatimin e kushteve të armëpushimit dhe paralajmëruar për pasojat nëse ato shkelet, ndërsa civilët e Gazës vazhdojnë të përballen me pasojat më të rënda humanitare dhe siguri që nga nisja e konfliktit.




Comments are closed.