×
Wednesday, October 15, 2025

Rama: Po ecim me shpejtësi në procesin e negociatave me BE-në

October 13, 2025


Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot faktin se Shqipëria është duke ecur me shpejtësi në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama vlerësoi mbështetjen e Komisionit Europian në këtë proces.

Rama vlerësoi faktin se turi i Presidentes në rajon nis me Shqipërinë, por edhe mbledhjen në Tiranë të Konferencës së Investimeve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që organizohet për herë të parë dhe që do të mikpresë një numër të konsiderueshëm sipërmarrjesh nga i gjithë rajoni.

Kryeministri theksoi se këtë forum synojmë ta kthejmë në një traditë në vitet në vijim.

Rama vlerësoi faktin se Presidentja Von der Leyen dhe Komisioni aktual i japin një vëmendje të posaçme procesit të përafrimit të vendeve tona me Bashkimin Europian.

“Në këtë aspekt kemi folur për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE-në, një proces që është duke ecur me shumë mbarësi dhe shpejtësi”, shtoi Rama.

Plani i ri i Rritjes që BE dhe Komisioni nën udhëheqjen e Von der Leyen i ka vënë në dispozicion Ballkanit Perëndimor, sipas kryeministrit Rama i jep mundësinë çdo vendi që përkundër agjendës së reformave dhe realizimit të objektivave të financohet nga BE në mbështetjen e thellimit të mëtejshëm të reformave.

“Më vjen shumë mirë që edhe në këtë pikë morëm vlerësim shumë pozitiv nga ana e Presidentes. Do të vazhdojmë të kryejmë me përpikmëri dhe shumë këmbëngulje të gjitha detyrat që kemi marrë përsipër”, u shpreh Kryeministri.

Forcimi i bashkëpunimit në rajon dhe për forcimin sigurisë në rajon ishin një tjetër temë në të cilën u fokusua biseda mes dy zyrtarëve të lartë.




Comments are closed.