Koçiu: Strukturat nën një komandë të vetme, qendër kombëtare për trajnimin e zjarrëfikësve



Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu u shpreh sot se shërbimet zjarrëfikëse, koordinatorët në terren, dhe një sërë institucionesh të Mbrojtjes Civile do të vendosen në një komandë të vetme.
Në aktivitetin për kapitullin e ri të mbrojtjes civile nëpërmjet transformimit të Forcës zjarrfikëse dhe inovacionit në Farkë, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, Koçiu tha se “vera që lamë pas nxori në pah një kontrast të thellë që ekziston midis përkushtimit dhe heroizmit personal të çdo trupe zjarrfikëse, të qindra zjarrfikësve që u përballën në vend, me situata të zjarrit masiv dhe me mënyrën se si e gjithë përgatitja jonë kombëtare antizjarr është e organizuar”.
“Ky është një hendek që ka ardhur duke u ngushtuar vit pas viti dhe këtë e tregojnë më së miri shifrat. Mjafton t’u referohemi investimeve që janë kryer në Shërbimin Zjarrfikës gjatë këtyre 10 viteve të fundit, duke konsideruar një dyfishim në numrin e automjeteve zjarrfikës dhe një dyfishim edhe në kapacitete njerëzore të përfshira në këtë shërbim. Nga 739 punonjës që i ishin dedikuar shërbimit në vitin 2016, sot kemi mbi 1400 punonjës zjarrfikës në shërbim”, vijoi ajo.
“E njëjta gjë është edhe me automjetet zjarrfikëse, nga 100, sot jemi në 185 automjete zjarrfikës të pasuruar në flotën tonë. Sigurisht disa prej tyre janë nga më modernet. Kemi ngritur një shërbim që qëndron dhe punon relativisht mirë, kur vjen puna në shërbimet me bazë komunitare, në shërbimet e përditshme zjarrfikëse sa i përket pikërisht komuniteteve, zjarrit apo incidenteve, që ndodhin në zonat urbane, përmbytjeve, misioneve të kërkim shpëtimit”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se sa i përket përballimit të emergjencave në nivel kombëtar apo zjarreve në nivel masiv, duhet që e gjithë kjo strukturë të ngrihet në një nivel të ri.
“Ne aktualisht kemi një strukturë që për hir të së vërtetës është e fragmentarizuar, me hierarki të komplikuar dhe me paqartësi e me mbivendosje detyrash hera herës”, pohoi Koçiu.
Sipas ministres Koçiu, janë një sërë institucionesh të përfshira në këto procese, duke nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, e cila është nën përgjegjësinë e MPB, ndërkohë është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e organizuar nën Ministrinë e Mbrojtjes, bashkitë, prefekturat, Forcat e Armatosura, koordinatorët në terren.
“Secili prej tyre ka një rol absolutisht të pazëvendësueshëm në rastet e zjarreve masive. Pa përmendur pastaj koordinimin ndërinstitucional dhe koordinimin ndërkombëtar me Qendrën Europiane të Koordinimit të Emergjencave. Është e nevojshme dhe e domosdoshme që të gjithë këto struktura të vendosen në një komandë të vetme, kur vjen puna te emergjencat dhe zjarret masive siç tregoi kjo verë që kaluam”, cilësoi ajo.
Koçiu u ndal edhe në rastin e dispeçerit të Policisë së Shtetit apo në shembullin e Urgjencës Mjekësore, kjo komandë e vetme të jetë në gjendje që të koordinojë si një trup i vetëm të gjithë aksionet dhe perfeksionojë bashkëpunimin ndërinstitucional apo ndërkombëtar.
“Duhet të maksimizojë efikasitetin e përdorimit të fondeve dhe të rrisë në mënyrë efektive mbulimin në të gjithë territorin. Është veçanërisht e rëndësishme, në fakt, të kemi parasysh që sot kemi një shërbim zjarrfikës të vendosur në të gjitha bashkitë e vendit, por është fakt që bashkitë e mëdha kanë edhe kapacitete më të mëdha. Sigurisht një zjarr që bie në një pyll rreth Tiranës është një zjarr që mund të parandalohet e të shuhet shumë më thjeshtë sesa një zjarr që bie në bashkitë e vogla, të tilla si Pusteci, Delvina, Leskoviku, Finiqi, të cilat kanë resurse më të limituara”, tha Koçiu.
Koçiu nënvizoi se “ndonëse territori është i gjithë i mbuluar, ka nevojë për një shpërndarje kapacitetesh që duhet absolutisht të perfeksionohet”.
“Për të gjithë këto arsye, në programin tonë qeverisës, për këtë mandat, kemi vënë një fokus të veçantë sa i përket rimodelimit të shërbimin tonë zjarrfikës sipas modeleve më të mira ndërkombëtare”, tha Koçiu.
“Sigurisht duke nisur nga rishikimi i kuadrit ligjor në fuqi. Dhe, patjetër, produkt i punës sonë të përbashkët do të jetë dhe Komanda e Qendërzuar, e cila do të punojë e funksionojë me protokollet më të mira europiane, duke iu bashkëngjitur dhe protokolleve që përdorin sot Emergjencat Civile, Policia e Shtetit, Urgjenca Mjekësore, Forcat e Armatosura. Modernizimi i sistemeve dhe protokolleve më të suksesshme janë vetëm njëra anë e medaljes”, shtoi ministrja Koçiu.
Koçiu cilësoi se “një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm janë njerëzit, që punojnë në këtë shërbim”.
“Prandaj do t’i vendosim zjarrfikësit në qendër të ndryshimit dhe vizionit për të ardhmen e këtij shërbimi që i ka të gjithë mundësitë të jetë një shërbim model. Do të standardizojmë, së pari procedurat e pranimit në këtë shërbim, duke nisur me procedurat e rekrutimit. Do të replikojmë platformat e suksesshme “Mësues për Shqipërinë”, apo “Mjekë e infermierë për Shqipërinë”, duke vendosur edhe punonjësit që punojnë në këtë shërbim në një sitë apo selektim me kritere të qarta, kur vjen puna, me analizë të qartë të formimit periodik, të vlerësimeve bazë të rekrutimit e patjetër, të aftësive të tyre fizike, psikologjike dhe profesionale”, shtoi ajo, ndërsa theksoi se për të siguruar një trajnim të vazhdueshëm në punë, do të krijohet Qendra Kombëtare e Trajnimit të Zjarrfikësve.
“Sipas një plani kombëtar mbi bazë kurrikulash të përcaktuara dhe referuar standardeve europiane, të gjithë zjarrfikësit do të marrin trajnim të vazhdueshëm periodik mbi teknikat dhe metodat më të avancuara të luftës kundër zjarreve. I gjithë procesi duhet të shoqërohet dhe me vendosjen në zbatim të skemave motivuese, për përfitimet e shtuara financiare si dhe mundësi të qarta të ngritjes në karrierë brenda këtij sistemi”, tha ajo.
Koçiu u ndal edhe te fushatat e vazhdueshme të ndërgjegjësimit dhe të edukimit, të cilat do të nisin që nga shkollat dhe do të vazhdojnë të shtrihen në gjithë komunitetet dhe në çdo strukturë vendore, patjetër për të ndërgjegjësuar për sigurinë nga zjarri dhe për mbrojtjen.
“Inovacioni dhe teknologjia do te jene bashkëshoqërues dhe do të na ndihmojnë që të raportojmë në kohë çdo situatë e problematikë që krijohet nga një rast zjarri apo problematikë që është e lidhur ngushtë me sigurinë e shëndetit. Janë vetëm disa nga objektivat që i kemi vendosur vetes në këtë mandat. Është një mandat që për hir të së vërtetës është mandati i Europës, është mandati i standardeve europiane, prandaj kemi nisur nga puna pa humbur kohë. Për të pasur një Shërbim Zjarrfikës të bazuar në dije, në teknologji, në bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndërinstitucional, në njerëz gjithmonë e më të kualifikuar”, pohoi Koçiu, duke e cilësuar këtë një shërbim kaq jetik dhe të pasur me efektivë të motivuar dhe të respektuar, jo vetëm në ato ditë të vitit kur përballen me emergjenca, por çdo ditë të vitit 24/7.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu në aktivitetin në Farkë për kapitullin e ri të mb…

