×
Sunday, October 5, 2025

Një opozitë si pula pa kokë

September 28, 2025


Nga Dritan Hila

Edhe pse është fare afër zgjedhjeve për Tiranën, opozita shqiptare nuk ka një kandidat.

Dy muaj protesta para bashkisë së Tiranës, 7 muaj në burg të Erion Veliaj dhe dy muaj që na ndajnë nga zgjedhjet e reja, pra pothuajse një vit, dhe kjo opozitë nuk e di se çfarë ka dashur të bëjë që nga dita kur rrinte para dyerve të bashkisë. Njëmbëdhjetë muaj dhe ende nuk dinë pse e nisën këtë punë dhe si do ta bitisin.

E ndërkohë vendi i mbetur bosh në bashki u ka dhënë shkas nga radhët e PD-së, por jo vetëm, gjithfarë idioti dhe mitomani të vetëofrohet për kandidat të opozitës.

E gjitha tregon mungesën e organizimit të kundërshtarëve të Ramës. Nuk kanë strategji, nuk kanë lidership, nuk kanë strukturë.

Berisha është një hije e vetvetes dhe në vend se të mendojë për fitore, përpiqet të mbajë të bashkuar atë që tashmë quhet PD-ja por që i ka mbetur vetëm sigla nga e kaluara.

E nëse për Tiranën është e shpartalluar, për qytetet e tjera as që bëhet fjalë të ketë ndonjë emër, e lëre pastaj strategji.

Praktikisht vendi është pa opozitë. Ajo që quhet e tillë është vetëm një ndërmarrje sh.p.k që diku shërben për të marrë përfitime ekonomike, diku për të shpëtuar liderin nga burgu e këto të rejat asgjë më shumë sesa të vjetrat vetëm se në një shkallë 1 me 10.

Dy muaj para zgjedhjeve, opozita nuk ka 6 emra që do konkurrojnë për bashkitë e vendit. Përpiqet ta paraqesë si procedurë demokratike përzgjedhjeje, por në fakt është kaosi. Kaos që e ka pasur edhe në 2021-shin, 2025-ën, zgjedhje në të cilat vetëm muajin e fundit caktonte kandidatët dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ndërkohë që kundërshtarët kishin filluar prej një viti punën në terren. Rezultati dihet. Humbën për herë të katërt.

I pritshmi nuk ka nevojë për fallxhore që të parashikohet.

Vendi sot nuk ka opozitë. Nuk quhet e tillë një organizatë që dikur konkurronte për qeverisjen e vendit, kurse sot kënaqet me gjashtë bashki të humbura që nuk i tregon as Google Map. Dhe pastaj qahen pse pasagjerët zbresin nga autobusi i saj dhe kërcejnë tek ai i tjetrit. Nuk duhen shumë mend në kokë për të kuptuar se me një mjet që i punon vetëm boria, nuk shkohet askund. Ndaj ca kërcejnë tek autobusi i Ramës e ca të tjerë nisen me këmbë. Të paktën nuk do gremisen bashkë me ca që më shumë sesa parti politike ngjajnë me pacientë të urgjencës ku secili bërtet për hallin e vet, por s’ka doktor që t’u bëjë derman./dritare.net




Comments are closed.