Rritja e AFD-së në Perëndim dhe një Gjermani që po ndryshon me shpejtësi
Këtë të diel u mbajtën zgjedhjet lokale në landin e Nordrhein-Westfalen në Gjermaninë Perëndimore dhe rezultati tregoi se ka një rritje të ndjeshme të Alternativës për Gjermaninë (AFD), e cila deri më parë kishte pasur rezultate të larta, kryesisht, në Lindje. AFD arriti të marrë përafërsisht 16,5 % të votave në landin më të populluar të Gjermanisë, ndërkohë që shifrat janë, pothuajse, trefishuar nga rezultati i vitit 2020. Ndonëse diferenca me CDU-në dhe SPD-në vijon ende të jetë e thellë, votimi i së dielës e rendit AFD në vend të tretë në një shtet të Gjermanisë Perëndimore, duke kaluar kështu të gjelbërit dhe të majtët.
Ky rezultat nuk është krejt i paparashikueshëm, duke parë që aktualisht në të gjithë Gjermaninë ka një frymë pakënaqësie të madhe ndaj partive tradicionale, ndaj axhendave të tyre dhe, kryesisht, ndaj politikave që kanë të bëjnë me emigrantët, gjë që ka rritur edhe frymën e pakënaqësisë dhe të ekstremizmit në radhët e popullatës vendase.
Si një parti populiste, AFD ka arritur të lexojë drejt pakënaqësinë sociale dhe ekonomike, të cilat i ka kthyer në katalizatorë për një votë proteste ndaj sistemit. Pavarësisht përpjekjeve për t’i ‘shtrënguar’ dhe marrjen e disa ‘masave’ nga qeveria aktuale e Kancelarit Merz, sërish populizmi është ai që përqafohet më shpejt dhe më lehtë nga një popullatë që i pret drutë shkurt dhe nuk i futet analizave të thella. Shto këtu që një shoqëri perandorake e ka të pamundur të ambjentuarit me një multikulturalizëm, i cili, në mos në mënyrë brutale, krijon diferenca të llahtarshme sociale në përditshmëri.
Por populistët dhe ekstremistët nuk mund të jetojnë në terrene ku nuk ka dështuar një ligjërim dhe një koncept politik, kështu që kjo rritje e AFD-së vjen në një kontekst ku të Gjelbërit dhe Liberalët janë vënë pas diskurseve progresiste, mbi klimën apo tema të kota si digjitalizimi, të cilat nuk kanë asnjë rëndësi për shoqërinë, gjë që ‘detyron’ në një farë kuptimi të mbushet me populizëm boshllëku i krijuar, sepse të gjitha shoqëritë kanë nevojë për shpresë dhe për besim se e ardhmja do të jetë e sigurt.
Rezultati i zgjedhjeve lokale të së dielës në Nordrhein-Westfalen e shndërron Alternativën për Gjermaninë në një parti konkurruese edhe në Perëndimin e vendit, duke qenë se rezultatet e saj më të larta më parë kishin qenë vetëm në Lindje, mirëpo rritja e partive të tilla populiste dhe me diskursk eksremist përpara se të jenë probleme politike duhen parë si shpërfaqje e pakënaqësisë dhe rritjes së ekstremizmit në gjithë shoqërinë gjermane.
Në këtë kuptim, që nesër të mos mbizotërojë ‘diktatura e zemërimit’ dhe dështimi i populizmit, paralajmërimi është i qartë jo vetëm për partitë e koalicionit qeveritar, por edhe për partitë tradicionale, të cilat jo vetëm që duhet t’i kthehen një diskursi që ka të bëjë me përditshmërinë e njerëzve, por edhe t’i shoh në sy problemet që ka krijuar në gjithë këto vite një politikë krejtësisht e hapur ndaj emigrantëve, duke krijuar pakënaqësi të mëdha të brendshme.
Historia e politikës na tregon se partitë radikale rriten në momente ku shoqëria ka krizë besimi, ndaj ky rezultat është edhe pasqyrë e një shoqërie që nuk është e imunizuar ndaj retorikës ekstremiste./Namir Lapardhaja







