Poloni, jep dorëheqjen ministri i Punëve të Jashtme, Jacek Czaputowicz
Ministri polak i Punëve të Jashtme, Jacek Czaputowicz dha sot dorëheqjen nga posti i tij, njoftoi ministria, pa dhënë detaje për arsyet e këtij vendimi.
“Ministri kishte deklaruar më herët se periudha post zgjedhore ishte momenti i duhur për një ndryshim në krye të diplomacisë polake, theksoi zyra e shtypit e ministrisë për agjencinë e lajmeve PAP.
Presidenti polak, Andrzej Duda, i mbështetur nga ekipi në pushtet, u rizgjodh në postin e tij në mes të korrikut.
“Czaputowicz, në këtë post që prej janarit 2018, shprehu bindjen se pasardhësi i tij do të ruajë linjën aktuale dhe do të mbështesë riforcimin e pozitës së Polonisë në skenën ndërkombëtare”, shtoi ministria.
Kjo dorëheqje ndodhi ndërkohë që Varshava është angazhuar ndjeshëm në zgjidhjen e krizës politike në Bjellorusi në përfundim të zgjedhjeve presidenciale, të kundërshtuara nga opozita demokratike bjelloruse dhe Bashkimi Europian.
Largimi i kreut të Diplomacisë polake ndodhi pas largimit të ministrit të Shëndetësisë, Lukasz Szumowski, i cili dha gjithashtu dorëheqjen, për arsye personale.
Eunews.al







