Siguria publike, mbarëvajtja e sezonit turistik dhe menaxhimi i situatave të zjarreve kanë qenë në fokus të takimit që ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi me 12 prefektët e qarqeve.
Gjatë mbledhjes u diskutuan prioritetet e punës për muajt në vijim, ndërsa ministri kërkoi forcimin e koordinimit mes institucioneve dhe rritjen e pranisë në terren, me synim reagim më të shpejtë dhe zgjidhje konkrete për problematikat që prekin qytetarët.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua funksionimit të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike. Lamallari kërkoi angazhim më të madh nga të gjitha institucionet përgjegjëse, duke theksuar se administrimi rutinë nuk mjafton.
Sipas tij, nevojitet koordinim i vazhdueshëm, reagim i shpejtë dhe rezultate konkrete në funksion të garantimit të sigurisë dhe rendit publik.
Ministri nënvizoi gjithashtu se qytetarët i vlerësojnë institucionet përmes nivelit të sigurisë që ndiejnë në jetën e përditshme dhe cilësisë së shërbimeve që marrin, ndaj çdo strukturë duhet të jetë në lartësinë e përgjegjësive që ka.
Në përfundim të takimit, Lamallari vlerësoi rolin e prefektëve si përfaqësues të Qeverisë në territor dhe si hallkë kyçe në bashkërendimin e institucioneve, për të garantuar zbatimin e politikave publike dhe arritjen e rezultateve konkrete në interes të qytetarëve.


