Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të raportit të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për monitorimin e edicioneve kryesore informative gjatë muajit qershor 2026, duke theksuar se të dhënat tregojnë se opozita ka pasur më shumë hapësirë mediatike sesa Partia Socialiste.
Sipas raportit të AMA-s, gjatë muajit qershor partitë politike përfituan gjithsej 402.47 minuta mbulim në edicionet kryesore të lajmeve. Nga kjo kohë transmetimi, Partia Socialiste zuri 36.05%, ndërsa opozita në tërësi 63.95% të hapësirës mediatike.
Duke iu referuar këtyre shifrave, Rama deklaroi se ato janë “fakte kokëforta” të bazuara në matje dhe jo në perceptime, të cilat, sipas tij, rrëzojnë pretendimet se Shqipëria funksionon si një regjim apo autokraci.
“Këto dy pasqyra, të cilat vijojnë të tregojnë me fakte kokëforta të bazuara në matje, jo në perceptime, se Shqipëria nuk ka asnjë lidhje me autokracitë e me kinse regjimet – ku sorrat dhe korbat politike e mediatike e fusin përditë e përnatë me krrakrratë e tyre – vendosa t’i postoj vetëm si pasqyra të mjerimit intelektual të dështakzemërakëve, të cilët i kërkojnë papushim kudo (e sidomos te unë) arsyet pse ‘regjimi’ nuk përmbyset, përveçse aty ku arsyeja është: te mjerimi i tyre që sheh regjim se s’di këndim të Shqipërisë”, shkroi Rama.
Raporti i AMA-s për muajin qershor evidenton se opozita ka zënë pjesën më të madhe të hapësirës mediatike në edicionet informative, ndërsa kryeministri e përdori këtë statistikë për të kundërshtuar akuzat e opozitës dhe kritikëve mbi lirinë e medias dhe pluralizmin në Shqipëri.


