×
Monday, December 9, 2024

Zelenski: Trupat ruse kanë mbërritur në Çernobil

February 25, 2022


BE synon të izolojë Rusinë me sanksione në fushën e teknologjisë industriale, eksportit, financave dhe sektorin e energjisë. BE po përgatitet gjithashtu të strehojë refugjatët nga Ukraina.

Presidenti i Ukrainës Zelenski ka bërë të ditur nëpërmjet Twitter-it se forcat ruse “po përpiqen të kapin” ish-centralin bërthamor të Çernobilit.

Mbrojtësit tanë po japin jetën që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet”, shkroi Zelenski. “Ky është deklarim lufte kundër të gjithë Evropës”.

Sanksione ndaj Rusisë  

Pas marshimit të trupave ruse në Ukrainë, Komisioni Evropian u prezanton liderëve të BE-së një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë. Paradite, Komisioni mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme të kryesuar nga presidentja Ursula von der Leyen, e cila më parë ishte takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të takohen nën kryesimin e presidentit të Këshillit Charles Michel. Presidentja e Komisionit von der Leyen, Presidenti i Këshillit Michel dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, kishin dënuar më parë ashpër sulmin rus. 

Von der Leyen tha se “Presidenti Putin e ka rikthyer luftën në Evropë. Në këto orë të errëta, Bashkimi Evropian dhe njerëzit  në Evropë janë me Ukrainën dhe popullin e saj. Kemi të bëjmë me agresion të paprecedentë të udhëheqjes ruse ndaj një vendi sovran dhe të pavarur”.

Përgatitje për refugjatët

Krahas sanksioneve ndaj Rusisë, Evropa po mendon tani se çfarë do të bëjë me refugjatët, të cilët kanë filluar të largohen në masë të madhe nga qytetet e mëdha ukrainase.

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, tha në Berlin se “aktualisht ne nuk shohim ndonjë lëvizje të madhe refugjatësh drejt vendeve fqinje ose në drejtim të Gjermanisë”. Ajo the se pritet që refugjatët të lëvizin brenda Ukrainës. Mediat gjermane njoftojnë për refugjatë që kanë filluar të lëvizin në drejtim të Polonisë, Rumanisë dhe Hungarisë. 

Refugjatë ukrainas duke kaluar kufirin me Hungarinë

Gjermania aktivizon masat e alarmit kombëtar

Për shkak të sulmit rus në Ukrainë, Ministria Federale e Mbrojtjes gjermane ka aktivizuar  “masat e alarmit kombëtar” për Bundeswehr-in. Ushtria do të qëndrojë në gatishmëri, për të marrë pjesë në kuadër të  Forca e Reagimit të NATO-s (NRF). Këto forca përbëhen nga gjithsej 50,000 ushtarë, prej të cilëve 13 700 janë nga Bundeswehrit.

Ministria e Mbrojtjes shpjegoi se sfondi i “masave të alarmit” ishte vendimi i NATO-s për të aktivizuar masat e reagimit ndaj krizës. Aleanca kishte aktivizuar në mesditë planet e mbrojtjes për Evropën Lindore.

Ministrja Federale e Mbrojtjes, Christine Lambrecht (SPD), deklaroi se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ishte “një shkelje drastike e ligjit ndërkombëtar dhe nuk mund të krahasohet me asgjë në historinë e rishtë”.

Presidenti rus Vladimir Putin “filloi një luftë në mes të Evropës pa asnjë arsye, vetëm ai është përgjegjës për vuajtjet e tmerrshme që lidhen me të”.

Rusia tani duhet të përgatitet për “sanksione të paprecedentë dhe shumë, shumë të ashpra”, tha Lambrecht. “I bëj thirrje presidentit Putin: Tërhiqni trupat tuaja menjëherë”.

Lambrecht tha se  Gjermania  nuk do të dërgojë armë në Ukrainë. 




Comments are closed.