Lufta tregtare SHBA-Kanada përshkallëzohet, Ottawa kundërpërgjigjet me tarifa deri në 50%

25 Aug 2026 19:39
Shpërndaje:

Qeveria kanadeze ka njoftuar vendosjen e tarifave prej 15%, 25% dhe 50% ndaj produkteve amerikane me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, si kundërpërgjigje ndaj masave të reja tregtare të Shteteve të Bashkuara.

Tarifat kanadeze do të hyjnë në fuqi më 8 shtator dhe përfshijnë një rritje në 50% të tarifës për çelikun amerikan, nga 25% që ishte më parë. Masa të reja do të zbatohen gjithashtu për produkte të qumështit, pajisje shtëpiake, makineri bujqësore, mobilje, letër dhe kategori të tjera mallrash.

“Ata kërkuan shumë nga Kanadaja dhe ofruan shumë pak në këmbim”, deklaroi ministri kanadez i Financave, Francois-Philippe Sabin, gjatë një konference për shtyp në Ottawa.

Reklamë Ola

Vendimi vjen pas pezullimit të negociatave tregtare mes dy vendeve. Kryeministri kanadez Mark Carney kishte refuzuar vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje që e konsideroi të pafavorshme për vendin e tij.

Nga ana tjetër, tarifat amerikane prej 50% mbi importe kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë kanë hyrë tashmë në fuqi.

Reklamë InterMedika

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një përshkallëzim të mëtejshëm të masave. Ai njoftoi se nga 1 janari 2027 tarifat për automjetet, kamionët, pjesët e automjeteve dhe çelikun kanadez do të rriten në 50%.

“Kanadaja ka vjedhur nga SHBA-ja për vite me radhë. Ne nuk do ta trajtojmë më Kanadanë sikur të ishte një shtet!”, deklaroi Trump, duke përsëritur gjithashtu pretendimin e tij se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të amerikan.

Kryeministri Mark Carney ka mbajtur një qëndrim të prerë, duke deklaruar se Kanadaja nuk do të pranojë një marrëveshje tregtare me SHBA-në “me asnjë çmim”.

Sipas tij, gjatë më shumë se një viti negociatash, pala amerikane kishte paraqitur propozime që rrezikonin sektorë kyç të ekonomisë kanadeze.

“Amerikanët donin të shkatërronin industritë tona kryesore, duke përfshirë sektorët e automobilave, çelikut dhe aluminit, me propozime të padrejta. Kjo është një nga arsyet kryesore pse thamë jo”, tha Carney.

Përplasja tregtare përbën një sfidë të rëndësishme për ekonominë kanadeze, pasi SHBA-ja është partneri i saj më i madh tregtar dhe rreth 70% e eksporteve të Kanadasë drejtohen drejt tregut amerikan.

Megjithatë, qeveria e Carney duket se gëzon mbështetje të konsiderueshme brenda vendit. Sipas një sondazhi të zhvilluar gjatë fundjavës, 76% e kanadezëve mbështesin ndërprerjen e negociatave tregtare me SHBA-në, ndërsa 62% janë dakord me kundërmasat e Otavës.