Joe DioGuardi apel partive në Kosovë: Zgjidhni presidentin, ndryshe vendi do të ketë telashe të mëdha

24 Aug 2026 15:27
Shpërndaje:

Ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi u ka bërë thirrje partive parlamentare në Kosovë që të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke paralajmëruar për pasoja nëse procesi dështon.

Deklaratat e DioGuardit erdhën pas ceremonisë ku ai dhe bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, morën shtetësinë e Kosovës.

“Jam këtu që të siguroj që ju të keni një president dhe shpresoj që të ndodhë para se të largohem. Nëse nuk zgjidhet deri atëherë, do të jeni në telashe të mëdha, sepse keni armiq në gatishmëri për të prishur balancën në Ballkan”, deklaroi DioGuardi.

Reklamë Ola

Ai theksoi se e konsideronte të rëndësishme praninë e tij në Kosovë në këtë periudhë, duke bërë thirrje për vigjilencë dhe angazhim.

“Ishte e rëndësishme që të vija me zërin tim të lartë për të zgjuar popullin shqiptar. Tani nuk është koha të flini në gjumë”, u shpreh ish-kongresmeni.

Reklamë InterMedika

Ndërkohë, Shirley Cloyes DioGuardi vlerësoi marrjen e shtetësisë së Kosovës dhe rikujtoi angazhimin shumëvjeçar të tyre për çështjen shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Ajo përmendi veprimtarinë e shqiptaro-amerikanëve që prej vitit 1989, periudhë gjatë së cilës DioGuardi ngriti në institucionet amerikane çështjen e shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i Slobodan Millosheviçit.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi kanë qenë ndër zërat më të fuqishëm në SHBA në mbështetje të Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Sipas Haxhiut, ata ishin miq të Kosovës shumë kohë përpara shpalljes së pavarësisë, ndërsa tashmë janë edhe qytetarë të saj.

Para konferencës për mediat, Haxhiu u dorëzoi DioGuardit dhe bashkëshortes së tij dekretet e shtetësisë në një ceremoni të posaçme.

Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi njihen për angazhimin e tyre shumëvjeçar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Ata kanë lobuar në Shtetet e Bashkuara, kanë ngritur çështjen e Kosovës në Kongresin amerikan dhe kanë kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare kundër regjimit të Millosheviçit.

Gjatë luftës së viteve 1998-1999, ata mbështetën ndërhyrjen e NATO-s, ndërsa pas përfundimit të konfliktit vijuan angazhimin për njohjen ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës.