Vuçiç pretendon se një “top zjarri” u lëshua nga Kosova drejt Serbisë, Policia e Kosovës e mohon

24 Aug 2026 22:38
Shpërndaje:

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se autoritetet në Serbi po hetojnë gjetjen e një pajisjeje me parashutë në zonën e Bërnjakut, pas pretendimeve të mediave serbe se ajo ishte lëshuar nga territori i Kosovës për të shkaktuar zjarr në Serbinë qendrore.

Gjatë një vizite në Kraljevë, në kuadër të turit të tij në prag të shpalljes së zgjedhjeve, Vuçiç tha se pajisja ishte gjetur dhe se autoritetet po punojnë për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.

“E gjetëm atë pajisje me parashutë. Qëllimi është i qartë, por hetimet janë ende në vazhdim”, deklaroi Vuçiç.

Reklamë Ola

Sipas presidentit serb, në hetime janë përfshirë policia, Agjencia për Siguri dhe Informim (BIA) dhe Agjencia e Sigurisë Ushtarake (VBA). Ai shtoi se priste të merrte gjatë mbrëmjes rezultatet paraprake të hetimit.

Mediat pranë qeverisë serbe kanë pretenduar se bëhet fjalë për një “top zjarri” të lëshuar nga Kosova, me qëllim shkaktimin e zjarreve në territorin serb. Megjithatë, në raportimet e deritanishme nuk janë paraqitur prova që vërtetojnë origjinën apo qëllimin e pajisjes.

Reklamë InterMedika

Policia e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në Serbi, duke mohuar që një pajisje e tillë të jetë lëshuar nga territori i Kosovës.

Për momentin, autoritetet serbe thonë se hetimet vijojnë, ndërsa pretendimet për origjinën e pajisjes mbeten të pakonfirmuara.