Shtatori “i nxehtë” i politikës/ Reforma territoriale, zgjedhorja dhe ndryshimet e mundshme në qeveri

25 Aug 2026 18:19
Shpërndaje:

Shtatori pritet të rikthejë përplasjet e forta politike, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, debatet për reformën territoriale dhe zgjedhore, si dhe pritshmëritë për ndryshime të mundshme në Partinë Socialiste dhe në qeveri.

Përplasja e parë lidhet pikërisht me datën e çeljes së sesionit parlamentar. Kuvendi pritet të nisë punimet të martën, më 8 shtator, dhe jo më 7 shtator.

Kushtetuta, në nenin 74, përcakton se sesioni i ri parlamentar fillon të hënën e parë të shtatorit. Megjithatë, sipas kalendarit të festave zyrtare, e hëna do të jetë ditë pushimi, pasi Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës këtë vit bie të shtunën.

Reklamë Ola

Vendimi ka sjellë reagimin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili argumenton se Kushtetuta duhet të ketë përparësi ndaj ligjit për festat zyrtare.

“Nuk mendoj që deputetët kanë nevojë për më shumë ditë pushimi. Kushtetuta është mbi ligjin për festat zyrtare dhe, si e tillë, duhet të respektohet Kushtetuta”, deklaroi Bardhi për A2.

Reklamë InterMedika

Një tjetër front përplasjeje pritet të jetë reforma territoriale. Propozimi i Partisë Socialiste parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 dhe synohet të miratohet në fillim të tetorit. Demokratët e kanë kundërshtuar nismën, ndërsa debati tashmë pritet të zhvendoset në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancat plenare.

Ndryshe nga reforma territoriale, reforma zgjedhore vijon të mbetet një nga çështjet ku PS dhe PD bashkëpunojnë. Objektivi është që deri në fund të vitit të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ligji për financimin e partive politike, rregullat për financimin e fushatave dhe kufizimet për përdorimin e burimeve shtetërore gjatë zgjedhjeve.

Në axhendën parlamentare do të jenë edhe ligjet që lidhen me procesin e integrimit dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Një rol të rëndësishëm gjatë sezonit të ri politik do të ketë edhe Presidenti i Republikës, i cili duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Sipas Kodit Zgjedhor, ato mund të zhvillohen më 18 ose 25 prill, apo më 2 ose 9 maj.

Por përpara rikthimit të deputetëve në Kuvend, vëmendja do të jetë te Partia Socialiste. Socialistët pritet të përballen me vendimet e kryeministrit Edi Rama për ndryshime të mundshme në strukturat e partisë dhe në përbërjen e qeverisë, duke e bërë fillimin e shtatorit një nga momentet më të rëndësishme të sezonit të ri politik.