Partia Demokratike e Kosovës dhe deputetë të Aleancës kanë vijuar edhe sot aksionin para ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, duke kërkuar zhbllokimin e procesit për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.
Në aksion morën pjesë deputetë të PDK-së, këshilltarë komunalë, drejtorë dhe aktivistë të kësaj force politike në Prishtinë, si dhe përfaqësues të Aleancës.
Opozita kërkoi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e tij të largohen nga objekti i Qeverisë, duke i cilësuar ata si “uzurpatorë”. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kërkoi rikthimin e “kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë” dhe vazhdimin e procesit për formimin e institucioneve.
Përfaqësuesit e opozitës i bënë thirrje Kurtit të shkojë në Kuvend dhe t’i hapë rrugë vazhdimit të seancës konstituive, duke argumentuar se kriza e tejzgjatur institucionale po sjell pasoja konkrete për qytetarët dhe komunat.
Asamblistja e PDK-së në Prishtinë, Fjolla Vukshinaj-Reçica, deklaroi se bllokimi i Kuvendit nuk është vetëm një përplasje politike, pasi sipas saj çdo ditë vonesë prek qytetarët, familjet dhe projektet e komunave.
Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht dhe vijoi më 8 gusht, por u ndërpre pa përfunduar zgjedhja e organeve drejtuese të Kuvendit. Në mbledhjen e 8 gushtit, kryesuesi Avni Dehari deklaroi se deputetët do të njoftoheshin për vazhdimin e saj, ndërsa deri tani nuk është caktuar një datë e re.
PDK-ja i ka dërguar gjithashtu kërkesa Deharit për thirrjen e vazhdimit të seancës, ndërsa aksionet e saj para Qeverisë kanë nisur që më 13 gusht.
Përplasja politike vazhdon ndërsa partitë ende nuk kanë arritur një marrëveshje që do t’i hapte rrugë përfundimit të konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja të Kosovës.


