TEHERAN – Larijani: Irani po përgatitet për negociata me SHBA-në
Irani po përgatitet për negociata me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha dje sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani.
“Në kundërshtim me narrativën e luftës së prodhuar artificialisht nga mediat, formimi i një kuadri për negociata po përparon”, tha Larijani në X.
Portuali amerikan i lajmeve “Axios” raportoi në lidhje me postimin e Larijani në X se ai ishte takuar dje në Teheran me Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kryeministrin e Katarit, i cili po kërkon të ndërmjetësojë midis SHBA-së dhe Iranit.
Ndërkohë, një gazetar i “Fox News” citoi presidentin e SHBA-së Donald Trump të thoshte se pala iraniane po negocionte, dhe se palët ishin në pritje se çfarë do të ndodhte.
“Irani po bisedon me ne dhe do të shohim nëse mund të bëjmë diçka, përndryshe do të shohim se çfarë do të ndodhë… Kemi një flotë të madhe që po shkon atje”, tha Trump për “Fox News”.
Bisedimet pritet të përqendrohen, ndër të tjera, në frenimin e programit bërthamor të diskutueshëm të Iranit dhe kufizimin e zhvillimit të raketave balistike.
Trump e ka kërcënuar vazhdimisht Iranin me sulme ushtarake, përfshirë edhe në lidhje me shtypjen e dhunshme të protestave të fundit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi tha të premten se vendi i tij ishte gati për negociata të drejta, por hodhi poshtë kërkesat qendrore të Trump.
“Strategjitë e mbrojtjes dhe sistemet e raketave nuk do të jenë kurrë objekt negociatash”, tha Araghchi.
Irani do të ruajë kapacitetet e tij dhe madje do t’i zgjerojë ato nëse është e nevojshme.
Ai paralajmëroi SHBA-në se konflikti ushtarak mund të shkonte përtej një lufte dypalëshe këtë herë.
Në qershor të vitit të kaluar, ushtria amerikane bombardoi objektet bërthamore në Iran.







