×
Thursday, June 18, 2026

Strasburg, Shqipëria nënshkruan tri konventa për shtetin ligjor, demokracinë dhe të drejtat e njeriut

June 15, 2026


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, nga selia qendrore e Këshillit të Evropës në Strasburg, bëri me dije se Shqipëria ka nënshkruar tri konventa, të cila sipas tij janë të rëndësishme për shtetin ligjor, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Gogu theksoi se konventa e parë ndërkombëtare mbi inteligjencën artificiale, sepse teknologjia nuk mund të qëndrojë mbi ligjin dhe mbi dinjitetin njerëzor.

“Konventa e parë kishte të bënte me përdorimin e inteligjencës artificiale, dhe sesi inteligjenca artificiale duhet t’i nënshtrohet ligjit në mënyrë që të mbrojmë dinjitetin e njeriut në mënyrë që të mbrojmë shtetin ligjor”, theksoi ai.

Konventa e dytë, sipas tij, kishte të bënte me mbrojtjen e avokatit.

“Çdo avokat që mbron një qytetar duhet të jetë vetë i mbrojtur, nga çdo lloj presioni, qoftë ai presion shtetëror apo i palëve në proces apo i çfarëdolloj presioni tjetër”, theksoi ai.

Ndërsa konventa e tretë, sipas Gogut, kishte të bënte me Ukrainën.

“Konventa e tretë kishte të bënte me komisionin e kërkesave për Ukrainën. Shqipëria është e përkushtuar që nga dita 1 për qëndrimin pro Ukrainës dhe presidentit Zelensky, agresori duhet të paguajë”, tha ai.

Sipas tij të gjitha konventat theksojnë se “sundimi i ligjit dhe demokracia forcohen përmes miratimit të ligjeve dhe jo vetëm me deklarata”.

“Nënshkrimi është fillimi. Ratifikimi është premtimi. Zbatimi është prova”, shkruan Gogu.




Comments are closed.