Shteti është rregullator apo aktor? Revanshi i kompanive publike në tregun e lirë
Vitet e fundit ka një revansh të shtetit, për të qenë një aktor më shumë në treg, duke krijuar kompani publike thuajse në çdo sektor. Së fundmi kemi krijimin e një kompanie që do të administrojë sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet dhe përmbytjet, por më herët një sërë shoqërish aksionere janë bërë pjesë e tregut privat.
Por a është ky një lajm i mirë apo një vlerë e shtuar për ekonominë? Selami Xhepa ekspert i ekonomisë i ftuar në emisionin E-ZONE në Vizion Plus thotë se kjo nuk është qasja e duhur e shtetit.
“Roli i shtetit është të forcojë mbikëqyrjen, të miratojë rregulla që krijojnë barazi, drejtësi dhe transparencë në treg. Krijimi i kompanive publike në çdo sektor duket më shumë një qasje që meqenëse nuk i kontrollojmë dot kompanitë private, krijojmë një kompani shtetërore. Nuk mendoj se kjo është rruga e duhur”, -tha Selami Xhepa
Eksperienca ka treguar se menaxhimi i shërbimeve nga shteti nuk ka patur sukses. Kjo është edhe arsyeja pse shumë kompani u privatizuan. Ndaj eksperti Xhepa e sheh me skepticizëm efektivitetin e tyre.
“Pse dështojnë kompanitë publike? Sepse ato keqmenaxhohen. Sfida e kompanive të tilla janë përdorimi politik i tyre. Stafi zgjidhet nga struktura politike. Ndërsa ato nuk i nënshtrohen rregullave të lojës, njësoj si kompanitë private. Kjo sjell më shumë deformim të tregut”, -deklaroi Xhepa në E-ZONE
Krijimin e kompanisë që do të merret me menaxhimin e skemës së sigurimit të detyrueshëm, Xhepa e sheh më shumë si krijimin e një fondi solidariteti, i cili sipas tij është i nevojshëm për të përballuar kostot nga dëmet e tërmetit.







