Shtetet e Bashkuara kanë nisur rishikimin e paralajmëruar të pranisë së tyre ushtarake në Evropë, me synimin që vendet evropiane të NATO-s të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale të kontinentit.
Elbridge Colby, një prej zyrtarëve më të lartë të Pentagonit, e cilësoi procesin si një “rishikim të vërtetë”, duke theksuar se ai synon të sigurojë që NATO të veprojë më shpejt dhe që Evropa të mbajë barrën kryesore të mbrojtjes së saj.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar prej kohësh nivelin e ulët të shpenzimeve të mbrojtjes nga disa vende evropiane të NATO-s. Megjithatë, shumë prej tyre, përfshirë Gjermaninë, kanë rritur ndjeshëm buxhetet ushtarake gjatë viteve të fundit.
Rishikimi ishte paralajmëruar në qershor nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel. Sipas tij, procesi pritet të zgjasë rreth gjashtë muaj.
“NATO ka qenë për një kohë të gjatë një tigër letre dhe një rrugë me një drejtim, por kjo tani ka marrë fund”, deklaroi Hegseth, duke vlerësuar përparimin e aleatëve evropianë në forcimin e kapaciteteve ushtarake, por edhe duke kritikuar mungesën e mbështetjes në disa raste.
Në deklaratat e tij, Colby nuk dha hollësi mbi elementet konkrete që do t’i nënshtrohen rishikimit. Megjithatë, sipas raportimeve të mëparshme, procesi mund të përfshijë jo vetëm numrin e trupave amerikane, por edhe avionët luftarakë, dronët, avionët furnizues dhe njësitë detare të stacionuara në Evropë.
Aktualisht, SHBA-ja mban rreth 80 mijë trupa në kontinentin evropian. Vetëm në Gjermani janë të stacionuar afro 39 mijë ushtarë amerikanë.
Sipas Colby, rishikimi synon të përshtatë praninë ushtarake amerikane me strategjitë e reja të Uashingtonit dhe me realitetet aktuale gjeopolitike dhe ushtarake.
Strategjia e re e mbrojtjes e administratës Trump e konsideron NATO-n një partner të rëndësishëm, por vendos si prioritete kryesore mbrojtjen e territorit amerikan dhe frenimin e Kinës.
Në muajt e fundit janë publikuar raportime të ndryshme për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Evropa, përfshirë Gjermaninë. Sipas disa prej tyre, të paktën 5 mijë ushtarë mund të largohen nga Gjermania brenda gjashtë deri në dymbëdhjetë muajve.
Uashingtoni raportohet se ka pezulluar gjithashtu planet për vendosjen e raketave lundruese me rreze të gjatë veprimi në Gjermani.
Një reduktim i pranisë amerikane pritet të shkaktojë shqetësim në vendet evropiane, veçanërisht në një kohë kur NATO po përpiqet të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të përballojë kërcënimet e sigurisë në kontinent.


