Kongresisti amerikan Joe Wilson i ka bërë thirrje Serbisë të ndërpresë varësinë nga energjia ruse dhe të distancohet nga Rusia, Kina dhe Irani, duke theksuar se vetëm kështu mund të ecë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Wilson rikonfirmoi mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe kritikoi Beogradin për, sipas tij, kërcënimet e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe lidhjet e ngushta me regjimet autoritare.
“Serbia duhet të jetë pjesë e qytetërimit modern perëndimor. Është koha të ndërpresë marrëdhëniet me diktaturat në Pekin, Moskë dhe Teheran”, deklaroi ai.
Wilson është sponsor i një rezolute në Kongresin amerikan që kërkon zhvendosjen e sesionit vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për vitin 2027 nga Beogradi në Çarlston të Karolinës së Jugut.
Sipas tij, marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si edhe qëndrimi ndaj Kosovës, e bëjnë Beogradin një zgjedhje të papërshtatshme për organizimin e këtij takimi ndërkombëtar.
“Asambleja Parlamentare e vitit 2027 duhet të mbahet në Shtetet e Bashkuara. Jam i shqetësuar për ndikimin e tepruar të Vladimir Putinit në Serbi, si edhe për ndikimin e Partisë Komuniste Kineze dhe lidhjet me regjimin në Teheran”, tha Wilson.
Ai akuzoi Serbinë se vazhdon të financojë Rusinë përmes blerjes së naftës dhe gazit, duke theksuar se Beogradi nuk duhet të negociojë për ndërprerjen e importeve të energjisë ruse, por të veprojë menjëherë.
“Jo, jo, jo. Negociatat nuk mjaftojnë. Serbia mund të veprojë në mënyrë të njëanshme. Nuk ka nevojë të marrë leje nga Donald Trump. Thjesht duhet ta bëjë, sepse është gjëja e duhur për lirinë dhe demokracinë”, u shpreh ai.
Wilson vlerësoi vendet e rajonit që kanë ndjekur rrugën euroatlantike, duke përmendur Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
“Pavarësia e Kosovës është shumë e rëndësishme për mua. Për fat të keq, kërcënimet nga Serbia nuk duhet të ekzistojnë në shekullin XXI”, tha ai.
Lidhur me organizimin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wilson pranoi se më parë kishte pasur shqetësime logjistike për zhvillimin e saj në Çarlston, por theksoi se ato tashmë janë zgjidhur.
Ai shtoi se Beogradi mund të jetë mikpritës i sesionit në vitin 2028, ndërsa argumentoi se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të gatshme ta organizojnë takimin në vitin 2027.
Në fund të intervistës, kongresisti amerikan u shpreh optimist për të ardhmen e Serbisë, por theksoi se zgjedhja i takon vetë qytetarëve të saj.
“Unë dua që Serbia të jetë në anën fituese të historisë, në anën e lirisë dhe demokracisë, jo të totalitarizmit të përfaqësuar nga Putini apo Partia Komuniste Kineze”, përfundoi Wilson.


