Mbështetja e demokratëve amerikanë për Izraelin po zbehet, shtohen thirrjet për rishikimin e ndihmës ushtarake

29 Jul 2026 11:12
Shpërndaje:

Mbështetja tradicionale dypartiake e Shteteve të Bashkuara për Izraelin po dobësohet brenda Partisë Demokratike, ku një numër gjithnjë e më i madh votuesish dhe ligjvënësish po kërkojnë rishikimin e ndihmës ushtarake amerikane për aleatin historik të Uashingtonit.

Lufta në Gaza, konflikti me Iranin dhe afërsia politike e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu me republikanët kanë thelluar ndarjet brenda demokratëve, duke e kthyer çështjen e Izraelit në një nga debatet më të forta në politikën amerikane.

Ndryshimi u reflektua edhe në Kongres, ku gati gjysma e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve votuan këtë muaj në favor të një amendamenti që synonte ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Izraelin. Megjithatë, propozimi nuk arriti të miratohej.

Reklamë Ola

Mes mbështetësve të amendamentit ishin edhe figura të njohura të Partisë Demokratike, ndërsa udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, dhe disa prej aleatëve të tij e kundërshtuan masën, duke e cilësuar atë tepër të gjerë.

Shtetet e Bashkuara i ofrojnë Izraelit rreth 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake çdo vit. Debati brenda demokratëve tashmë është përqendruar te mënyra se si duhet të vazhdojë kjo mbështetje: pa ndryshime, vetëm për sistemet mbrojtëse ose me pezullimin e saj.

Reklamë InterMedika

Edhe opinionet e publikut po ndryshojnë. Një sondazh i Universitetit Quinnipiac, i publikuar në qershor, tregoi se 48% e amerikanëve besojnë se Uashingtoni e mbështet Izraelin më shumë seç duhet.

Mes votuesve demokratë, kjo përqindje arrin në 66%, ndërsa shumica e republikanëve e konsiderojnë nivelin aktual të mbështetjes si të përshtatshëm.

Debati po ndikon gjithashtu në garat paraprake të Partisë Demokratike në shtete si Michigan, New York, Florida dhe Colorado, ku kandidatët kritikë ndaj politikave të qeverisë izraelite kanë arritur disa fitore.

Zhvillimet e fundit tregojnë se marrëdhënia me Izraelin, e konsideruar për dekada një pikë konsensusi në politikën amerikane, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga temat më përçarëse brenda Partisë Demokratike.