×
Wednesday, December 11, 2024

Sërish mospajtime mes Kosovës e Serbisë në Bruksel

February 23, 2022


Ishin një varg takimesh ato në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të zhvilluara të martën në Bruksel. Por çështja e Asociacionit ishte sërish pengesa që bllokoi takimin tre palësh.

Nuk pati takim tre palësh në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ndonëse ky ishte paralajmëruar nga vetë ndërmjetësuesi i BE-së në këtë proces Miroslav Lajëak. Në mbrëmjen e së martës (22.02), kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan takime dypalëshe me zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe nuk u dha ndonjë shpjegim se pse nuk u zhvillua takimi tre palësh. Ajo që u bë e ditur në takimet e ndara që Miroslav Lajçak zhvilloi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq ishin temat e diskutuara. Çështja e të pagjeturve, ajo e targave për vetura dhe çështja e energjisë. Burime diplomatike nga Bruksel flitet se është diskutuar edhe një traktat i paqes mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Reagime pas takimeve

I ngarkuari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, shkroi në twitter se “bisedimet e së martës kanë qenë intensive për një sërë temash konkrete”, por hollësi lidhur me to nuk ka dhënë. Kuse kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha pas takimit për mediet serbe se pa themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë ai nuk e sheh ndonjë mundësi se si do të vazhdohet më tej me dialogun në Bruksel. “Kemi përfunduar një raund tjetër të bisedimeve. Kemi kaluar mbi dhjetë orë në ndërtesën e BE-së. Pyetjen e parë që e kemi bërë ka qenë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kanë kaluar nëntë vjet nga marrëveshja e Brukselit dhe ende jemi në pritje të formimit të tij. Pa Asociacion nuk e di se si mund të ecim më tej e të flasim për çështje të tjera”, tha Petkoviq, duke shprehur gatishmërinë e Serbisë që të vazhdojë dialogu dhe të zbatohen marrëveshjet.

 “Kemi diskutuar edhe për energjetikën e ende presim licencat për dy kompani serbe, pasi është e rëndësishme në këtë krizë energjetike”, tha Petkoviq, duke akuzuar kryenegociatorin e Kosovës Bislimi se ka refuzuar të flasë me palën serbe. Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi nuk foli për mediet.

Dialogu në seancë plenare

Të enjten në parlamentin e Kosovës mbahet një seancë plenare pikërisht për çështjen e dialogut. Partitë opozitare kanë akuzuar qeverinë e Kosovës për “mos transparencë” në raport me dialogun me Serbinë. Ato thonë se qeveria e Kosovës duhet të qartësojë raportin në dialog, pasi ai duhet të kalojë në një fazë tjetër. Takimet e së martës në Bruksel u shfrytëzuan edhe për të testuar, nëse ekziston një gatishmëri e mjaftueshme midis palëve edhe për një takim të nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Por është pikërisht çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe mospajtimet e Kosovës dhe Serbisë rreth saj, që po pengojnë një takim të kërkuar nga BE ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuҫiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Beogradi këmbëngulë që çështja e Asociacionit të jetë tema kryesore e dialogut, ndërsa Prishtina kërkon që të ndriçohet fati i personave të zhdukur gjatë luftës dhe çështje të tjera më të ngutshme. Që nga koha kur Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës, në kuadër të dialogut me Serbinë ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Si Kosova edhe Serbia përsërisin, se janë të gatshme për një takim të tillë, por Bashkimi Evropian ka insistuar që nëse takimi i nivelit të lartë do të kryhet, atëherë ai duhet të ketë rezultate konkrete.Në fillim të shkurtit në Kosovë e Serbi, qëndruan i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak. Gjatë vizitave në Kosovë e Serbi, Escobar kishte rishprehur qëndrimin amerikan se dialogu Kosovë-Serbi duhet që të përfundojë me njohje reciproke. Në një deklarim para senatorëve amerikanë në Komitetin për Punë të Jashtme, përfaqësuesi amerikan për Ballkanin Perëndimor ka thënë, se të dyja shtetet duhet të punojnë, si palë të barabarta, që nëpërmjet dialogut të heqin dallimet e të gjejnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse.




Comments are closed.