Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u ka bërë thirrje vendeve që të ndalojnë ose të kufizojnë përdorimin e armëve autonome, duke paralajmëruar për rrezikun që makineritë të marrin vendime të pavarura për shënjestrimin dhe vrasjen e njerëzve.
Në një apel të përbashkët me presidenten e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), Mirjana Spoljaric, Guterres deklaroi se bota po i afrohet gjithnjë e më shumë kalimit të një “vije të kuqe morale”.
Sipas tij, kjo vijë është “shënjestrimi autonom i njerëzve nga makineritë”.
Paralajmërimi vjen mes raportimeve, ende të pakonfirmuara, se dronë të drejtuar nga inteligjenca artificiale po përdoren në fushën e betejës.
Të hënën, New York Times raportoi për një rast ku një dron rus i drejtuar nga inteligjenca artificiale dyshohet se vrau tre ukrainas, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi mënyrën se si AI mund të ndryshojë luftën me dronë.
Guterres dhe Spoljaric theksuan se shënjestrimi i civilëve gjatë luftës përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Një prej shqetësimeve kryesore është nëse sistemet autonome mund të bëjnë dallimin e nevojshëm mes luftëtarëve dhe civilëve.
Ata kërkuan ndalimin e armëve autonome që mund të prodhojnë rezultate të paparashikueshme, si dhe të sistemeve kundër personelit të projektuara për të shënjestruar në mënyrë autonome qeniet njerëzore.
OKB kërkon rregulla ligjërisht të detyrueshme
Çështja pritet të jetë në qendër të diskutimeve ndërkombëtare në muajt e ardhshëm. Në nëntor, në Gjenevë, OKB-ja do të zhvillojë një konferencë për rishikimin e traktatit mbi armët konvencionale, ku pritet të diskutohet edhe për sistemet vdekjeprurëse autonome të armëve.
Kombet e Bashkuara prej kohësh u bëjnë thirrje shteteve të arrijnë marrëveshje për rregulla ligjërisht të detyrueshme mbi zhvillimin dhe përdorimin e këtyre teknologjive.
Edhe Komisioni Evropian ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kontrollit njerëzor mbi inteligjencën artificiale.
“Kur flasim për AI, duam mbikëqyrje njerëzore”, deklaroi të martën zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, i pyetur nëse njerëzit duhet të vazhdojnë të kenë kontroll mbi përdorimet ushtarake të inteligjencës artificiale.
Mbikëqyrja njerëzore është një prej koncepteve kryesore të Aktit të Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale. Megjithatë, ky legjislacion nuk zbatohet për sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura ekskluzivisht për qëllime ushtarake, mbrojtjeje ose sigurie.


