Travelweek”: Tirana, nga një kryeqytet i zymtë në një destinacion modern që po mahnit turistët

25 Aug 2026 08:57
Shpërndaje:

Tirana po përjeton një transformim të jashtëzakonshëm, duke u shndërruar nga një kryeqytet dikur i izoluar në një qytet modern, dinamik dhe gjithnjë e më tërheqës për turistët ndërkombëtarë, shkruan gazetari Tim Johnson për median kanadeze “Travelweek”.

Autori, i cili rikthehet në Tiranë pas më shumë se një dekade, e përshkruan ndryshimin si pothuajse të pabesueshëm. Rrokaqiejt modernë, ndërtesat e reja, hapësirat publike dhe gjallëria e qendrës së qytetit krijojnë, sipas tij, një pamje krejt tjetër nga ajo që kishte parë gjatë vizitës së vitit 2014.

Në qendër të këtij transformimi është Sheshi Skënderbej. Johnson kujton se gjatë vizitës së tij të parë zona ishte e rrethuar nga trafik, parkime dhe hapësira të dëmtuara, ndërsa sot është kthyer në një zonë të madhe pedonale dhe një nga pikat kryesore të jetës së kryeqytetit.

Reklamë Ola

“Shumë gjëra kanë ndryshuar këtu”, i thotë një banor autorit, duke iu referuar ndërtesave të reja, parqeve, ambienteve të ushqimit dhe hapësirave të krijuara rreth sheshit.

Gazetari ndalet edhe te kontrasti mes Tiranës moderne dhe gjurmëve të së kaluarës. Muze të tillë si Shtëpia me Gjethe dhe Bunk’Art 2 tregojnë historinë e regjimit komunist dhe aparatit represiv të kohës së Enver Hoxhës, ndërsa vetëm pak minuta larg tyre gjenden bare, restorante, galeri dhe dyqane moderne të mbushura me të rinj.

Reklamë InterMedika

“Dikur kjo ishte e zymtë, tani është moderne”, i thotë autorit udhërrëfyesi Edjon Maliqaj, ndërsa vizitojnë një nga lagjet e kryeqytetit.

Johnson veçon gjithashtu Kalanë e Tiranës, rrugën pedonale Murat Toptani dhe zonat e frekuentuara përreth qendrës, ku jeta e natës, restorantet dhe ambientet në natyrë dëshmojnë ndryshimin që ka përjetuar qyteti.

Sipas Armand Ferrës, themelues dhe drejtues i “Fine Travel Albania DMC”, Tirana është sot “një nga shembujt më dinamikë të transformimit urban në Ballkan”.

“Në fund të fundit, Tirana nuk mund të përshkruhet plotësisht, ajo duhet përjetuar”, shprehet ai.

Media kanadeze e lidh rritjen e interesit për Tiranën edhe me zhvillimin e shpejtë të turizmit në Shqipëri. Ndërsa destinacione tradicionale si Italia dhe Kroacia janë bërë më të mbipopulluara dhe më të kushtueshme, gjithnjë e më shumë turistë po orientohen drejt Shqipërisë.

Një shtysë e re për tregun e Amerikës së Veriut pritet të jetë edhe linja direkte sezonale Toronto–Tiranë e “Air Transat”, e cila operon një herë në javë deri më 8 tetor 2026.

Sipas artikullit, bëhet fjalë për lidhjen e parë ajrore pa ndalesë në histori mes Kanadasë dhe Shqipërisë, duke e bërë Tiranën dhe pjesën tjetër të vendit më të aksesueshme për turistët kanadezë.

Për Johnson, Tirana e sotme përfaqëson në të njëjtën kohë dy realitete: kujtesën e një të kaluare të vështirë dhe energjinë e një qyteti që po ndryshon me shpejtësi.

“Një histori e dy qyteteve. Të gjitha në një vend. Një ndryshim që ia vlen të përjetohet”, përfundon autori.