SHBA çmonton rrjetin e dyshuar të spiunazhit kibernetik kinez, në shënjestër NASA, Senati dhe Rezerva Federale

27 Aug 2026 09:16
Shpërndaje:

Një operacion i gjerë spiunazhi kibernetik, që dyshohet se ka vepruar prej vitesh duke synuar institucione të ndjeshme dhe infrastrukturë kritike në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, është çmontuar nga autoritetet amerikane.

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se rrjeti, i lidhur me një kompani kineze, dyshohet se ka depërtuar në sistemet e disa institucioneve të rëndësishme amerikane, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, NASA-n, Rezervën Federale dhe Senatin.

Në kuadër të operacionit, autoritetet amerikane sekuestruan domenet e përdorura nga dy platforma të quajtura “QScan” dhe “QTRouter”, të cilat dyshohet se përbënin pjesë të infrastrukturës së përdorur për kryerjen e sulmeve kibernetike.

Reklamë Ola

Sipas Departamentit të Drejtësisë, mes objektivave të dyshuara ishin gjithashtu Departamenti i Energjisë, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit.

Në shënjestër dyshohet se kanë qenë edhe katër kompani në Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut.

Reklamë InterMedika

Autoritetet amerikane thonë se aktiviteti i rrjetit mund të ketë nisur të paktën që në vitin 2018 dhe se infrastruktura e tij është përdorur për të depërtuar në rrjete të ndjeshme dhe sisteme të lidhura me infrastrukturën kritike në SHBA dhe vende të tjera.

Funksionimi i platformave i atribuohet kompanisë kineze të teknologjisë së rrjetit Nanjing Xinjiuwei.

Sipas autoriteteve amerikane, mes klientëve të dyshuar të kompanisë përfshiheshin Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës dhe Ushtria Çlirimtare Popullore, krahas institucioneve të tjera.

Rasti nxjerr në pah rolin në rritje të kompanive private dhe kontraktorëve të specializuar në sigurimin e kapaciteteve kibernetike për agjencitë shtetërore.

Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë vënë në dukje se gjatë viteve të fundit është shtuar numri i kompanive kineze që ofrojnë shërbime të specializuara për operacione kibernetike, duke krijuar një ekosistem më të gjerë aktorësh privatë me aftësi për të zhvilluar operacione komplekse infiltrimi dixhital.

Ambasada kineze në Uashington nuk reagoi menjëherë ndaj kërkesave për koment mbi rastin.

Pekini ka mohuar vazhdimisht akuzat e Uashingtonit për përfshirje ose përgjegjësi në sulme kibernetike, ndërsa përplasjet mes dy fuqive për spiunazhin dixhital dhe sigurinë e infrastrukturës kritike janë intensifikuar gjatë viteve të fundit.