Irani i është drejtuar Kombeve të Bashkuara me një letër zyrtare, ku dënon kërcënimet e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Teheranit, duke i cilësuar ato si një akt “terrorizmi shtetëror dhe ekonomik”.
Letra është bërë publike nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në Telegram dhe më pas është transmetuar nga agjencitë iraniane të lajmeve. Ajo i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Këshillit të Sigurimit dhe të gjitha shteteve anëtare të organizatës.
Sipas Araghchit, Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur objektivat e tyre ndaj Iranit dhe tashmë po përpiqen të pengojnë marrëdhëniet dhe transaksionet ekonomike të ligjshme të Teheranit me vendet e tjera.
Ministri iranian pretendon se sanksionet amerikane nuk godasin vetëm qeverinë, por kanë pasoja të drejtpërdrejta mbi popullsinë civile, pasi mund të kufizojnë aksesin në ushqime, ilaçe, pajisje mjekësore, energji dhe mallra të tjera thelbësore.
Araghchi i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit dhe vendeve anëtare të OKB-së që të dënojnë dhe të refuzojnë ato që Teherani i konsideron “masa shtrënguese unilaterale dhe sanksione dytësore”.
Ai u kërkoi gjithashtu qeverive të vendeve të tjera që të mos zbatojnë masat e Uashingtonit, ndërsa i bëri thirrje SHBA-së të ndalojë presionin ndaj shteteve të treta për t’i detyruar ato të ndërpresin marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Iranin.
Reagimi i Teheranit vjen në një moment kur administrata amerikane po paralajmëron një forcim të ndjeshëm të presionit ekonomik ndaj Iranit, përfshirë përdorimin e sanksioneve dytësore ndaj kompanive dhe institucioneve të huaja që vazhdojnë të bashkëpunojnë me vendin.
Edhe Kina ka kundërshtuar sanksionet e paralajmëruara nga Uashingtoni, duke i cilësuar ato pjesë të një “lufte ekonomike të paprecedentë” kundër Iranit.
Pekini argumenton se një politikë e tillë nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por mund të përshkallëzojë më tej tensionet dhe të krijojë pasoja negative për rendin ekonomik ndërkombëtar.
Përplasja rreth sanksioneve po shton kështu tensionet jo vetëm mes Uashingtonit dhe Teheranit, por edhe me vendet që kundërshtojnë përdorimin e masave amerikane ndaj partnerëve tregtarë të Iranit.


