Dhoma e Deputetëve e Italisë ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Strategjik me Shqipërinë, duke i hapur rrugën fazës së fundit të procesit parlamentar. Projektligji u votua me 149 vota pro, 81 kundër dhe 3 abstenime, ndërsa tashmë do t’i nënshtrohet shqyrtimit në Senatin italian.
Marrëveshja, e nënshkruar në Romë më 13 nëntor 2025, synon të forcojë partneritetin strategjik mes dy vendeve përmes zgjerimit të bashkëpunimit në një gamë të gjerë sektorësh.
Dokumenti parashikon bashkëpunim në energji, mbrojtjen e mjedisit, siguri dhe mbrojtje, menaxhimin e migracionit, drejtësi, infrastrukturë, shëndetësi, bujqësi, turizëm, arsim, kërkim shkencor dhe inovacion. Gjithashtu, marrëveshja synon të mbështesë diasporën shqiptare në Itali dhe të nxisë shkëmbimet kulturore e institucionale mes dy vendeve.
Sipas autoriteteve italiane, marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Ajo krijon një kuadër të qëndrueshëm bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët dhe synon të forcojë koordinimin politik dhe ekonomik mes Romës dhe Tiranës.
Pas miratimit në Dhomën e Deputetëve, projektligji do të kalojë për votim në Senatin italian. Nëse miratohet edhe aty, marrëveshja do të ratifikohet përfundimisht dhe do të hyjë në fuqi.


