Malaj: Dogana Shqiptare menaxhoi me sukses fluksin rekord të udhëtarëve gjatë korrikut

04 Aug 2026 16:40
Shpërndaje:

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar se Dogana Shqiptare po menaxhon me efikasitet fluksin e lartë të udhëtarëve dhe automjeteve gjatë sezonit turistik, duke garantuar procedura të shpejta, të sigurta dhe shërbim të pandërprerë në të gjitha pikat doganore të vendit.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Malaj bëri të ditur se vetëm gjatë muajit korrik, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” janë regjistruar mbi 1.8 milionë pasagjerë dhe rreth 9.500 fluturime, ndërsa theksoi se strukturat doganore kanë përballuar me sukses këtë fluks të lartë.

Sipas ministrit, edhe portet kryesore të vendit kanë shënuar një numër të konsiderueshëm udhëtarësh dhe automjetesh. Në Portin e Durrësit janë përpunuar 111 mijë pasagjerë dhe rreth 40 mijë automjete, në Portin e Sarandës 131 mijë pasagjerë dhe 250 automjete, ndërsa në Portin e Vlorës kanë kaluar 17 mijë pasagjerë dhe rreth 5 mijë mjete.

Reklamë Ola

Malaj theksoi se Dogana Shqiptare funksionon 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke garantuar mbarëvajtjen e lëvizjes në të gjitha pikat kufitare dhe duke minimizuar kohën e pritjes për udhëtarët gjatë sezonit veror.

Ai u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve që, përpara udhëtimit, të njihen me rregullat dhe procedurat doganore përmes Manualit Doganor të Pasagjerit, i cili mund të aksesohet në faqen zyrtare të Doganës Shqiptare ose përmes kodit QR. Sipas ministrit, informimi paraprak ndihmon në lehtësimin e procedurave kufitare, shmangien e vonesave dhe garantimin e një udhëtimi sa më të qetë për qytetarët.

Reklamë InterMedika