Senatori amerikan Rick Scott: Rusia duhet të sanksionohet, Ukraina po tregon se liria mund të mposhtë diktaturën

05 Aug 2026 09:19
Shpërndaje:

Teksa lufta në Ukrainë vazhdon dhe bashkëpunimi mes Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut po intensifikohet, senatori republikan Rick Scott ka bërë thirrje për shtimin e presionit ndaj Kremlinit, duke mbështetur miratimin e projektligjit të ri për sanksionet kundër Rusisë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, senatori nga Florida, anëtar i disa komisioneve kyçe të Senatit amerikan dhe bashkësponsorizues i Projektligjit për Sanksionimin e Rusisë 2026, deklaroi se presidenti rus Vladimir Putin duhet të mbahet përgjegjës për luftën në Ukrainë.

“Putini është një bandit. Është e neveritshme ajo që u ka bërë ukrainasve dhe sa gra, fëmijë e të moshuar ka vrarë. Është e rëndësishme të mbrojmë lirinë. Nëse mbështet atë që po bën Rusia, atëherë duhet të sanksionohesh. Nuk ka asnjë dyshim për këtë”, u shpreh Scott.

Reklamë Ola

Ai tha se shpreson që Kongresi ta miratojë sa më shpejt projektligjin e propozuar nga senatori Lindsey Graham dhe beson se presidenti Donald Trump do ta nënshkruajë atë.

Scott argumentoi se kërcënimi që përfaqëson Rusia nuk mund të shihet i ndarë nga bashkëpunimi gjithnjë e më i ngushtë me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Reklamë InterMedika

“Sot po jetojmë në kohë shumë të rrezikshme. Xi Jinping, Vladimir Putin, ajatollahët në Iran dhe Kim Jong Un duan të shkatërrojnë mënyrën tonë të jetesës. Ata bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe ne duhet të mbështesim aleatët tanë dhe t’i mbajmë këto regjime përgjegjëse”, deklaroi ai.

Senatori kritikoi gjithashtu varësinë ekonomike të SHBA-së nga Kina, duke kërkuar që amerikanët të ndalojnë blerjen e produkteve kineze.

“Nuk mund të themi se Rusia është një vend agresor dhe njëkohësisht të mos e ndëshkojmë. E njëjta gjë vlen edhe për Kinën komuniste. Duhet të ndalojmë së financuari ushtrinë e saj përmes blerjes së produkteve kineze”, tha Scott.

Gjatë intervistës, ai vlerësoi rezistencën e Ukrainës, duke e cilësuar atë një aleate të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara.

“Ukrainasit kanë treguar se janë të gatshëm të luftojnë për lirinë e tyre. Heroizmi i tyre admirohet në mbarë botën. Ata janë në anën e duhur të historisë”, u shpreh senatori.

Scott tha se Vladimir Putin kishte nënvlerësuar vendosmërinë e SHBA-së dhe të presidentit Donald Trump për të mbështetur Ukrainën.

“Mendoj se Putin besoi se mund të përfitonte nga Trump. Ai e nënvlerësoi përkushtimin e tij ndaj lirisë në mbarë botën. Presidenti ka treguar se është i gatshëm të përballet me Iranin, Kinën dhe regjime të tjera autoritare”, deklaroi ai.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua teknologjisë ushtarake të zhvilluar nga Ukraina, veçanërisht përdorimit të dronëve. Scott zbuloi se kishte pritur në Kapitol komandantë të njësive ukrainase të dronëve dhe tha se rezultatet e tyre në fushën e betejës janë mbresëlënëse.

Ai tregoi se një komandant ukrainas, me vetëm 2.000 ushtarë, kishte shkatërruar pajisje ushtarake ruse me vlerë mbi 15 miliardë dollarë, ndërsa një njësi tjetër kishte neutralizuar rreth 30 për qind të kapaciteteve ushtarake ruse falë përdorimit të dronëve dhe armëve autonome.

“Suksesi i tyre nuk vjen vetëm nga teknologjia, por edhe nga fakti që operatorët e dronëve punojnë çdo ditë me zhvilluesit e sistemeve, duke përmirësuar vazhdimisht aftësitë e tyre”, tha Scott.

Ai mbështeti gjithashtu bashkëpunimin mes SHBA-së dhe Ukrainës në zhvillimin e teknologjisë së dronëve dhe u shpreh i bindur se administrata amerikane do të vazhdojë t’i furnizojë forcat ukrainase me armët që u nevojiten.

Duke komentuar nevojën e Ukrainës për sisteme shtesë Patriot, Scott tha se nga kontaktet që ka me Shtëpinë e Bardhë është i bindur se Uashingtoni mbetet plotësisht i angazhuar në mbështetjen ushtarake të Kievit.

Në përfundim, senatori republikan argumentoi se lufta në Ukrainë është pjesë e një përballjeje më të gjerë mes demokracive dhe regjimeve autoritare.

“Putini, Xi Jinping, ajatollahët, Kim Jong Un, Maduro dhe Castro nuk besojnë te liria individuale. Ata bashkëpunojnë për të sfiduar demokracitë. Ajo që kanë bërë ukrainasit ka treguar se diktaturat e korruptuara mund të mposhten dhe se liria mund të triumfojë”, përfundoi Rick Scott.