Shqipëria po ndërmerr një hap të ri në reformimin e sistemit shëndetësor publik, duke zgjeruar rolin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHISH sh.a.), i cili, përveç administrimit të shërbimit të sterilizimit, do të marrë në menaxhim edhe Programin Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë (Check-Up) dhe shërbimin e dializës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ky transformim synon krijimin e një operatori publik të specializuar, që do të garantojë standarde të larta të cilësisë, sigurisë, efikasitetit dhe vazhdimësisë së shërbimeve mbështetëse në të gjithë sistemin shëndetësor.
Në kuadër të këtij procesi, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, inspektoi ambientet logjistike të OSHISH sh.a., ku po zbatohet modeli i ri për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me sete kirurgjikale sterile dhe materiale mjekësore njëpërdorimëshe, si dhe menaxhimin e shërbimeve mbështetëse për spitalet publike.
Gjatë vizitës, ministrja Sala theksoi se vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave i japin operatorit publik përgjegjësi të reja në administrimin e dy shërbimeve kombëtare me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët.
“Me vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave, OSHISH do të administrojë edhe dy shërbime kombëtare me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët: Check-Up dhe dializën. Kjo do të thotë më shumë standardizim, më shumë kontroll mbi cilësinë, më shumë efikasitet dhe, mbi të gjitha, më shumë siguri për pacientët. Ne po ndërtojmë një operator publik të fortë, të aftë për të garantuar shërbime të qëndrueshme dhe me standarde të njëjta në të gjithë vendin”, deklaroi ministrja.
Ajo u ndal edhe te rëndësia e shërbimit të sterilizimit, duke e cilësuar atë si një nga elementët më kritikë për sigurinë e pacientëve dhe cilësinë e kujdesit spitalor. Sipas saj, investimi në infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore do të mundësojë procese të standardizuara, kontroll të plotë të cilësisë dhe gjurmueshmëri në çdo fazë të sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale.
“Sterilizimi është një nga hallkat më kritike të sigurisë së pacientit. Qendra e re garanton procese të standardizuara, kontroll të plotë të cilësisë dhe gjurmueshmëri në çdo fazë të procesit, duke mbrojtur njëkohësisht pacientët dhe personelin shëndetësor. Ky është një investim që rrit cilësinë, ul rrezikun e infeksioneve dhe forcon besimin te shërbimi publik shëndetësor”, u shpreh Sala.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, modeli i ri i administrimit synon të sigurojë vazhdimësinë pa ndërprerje të shërbimit të sterilizimit në të gjitha spitalet publike, të përballojë rritjen e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale, të modernizojë pajisjet dhe teknologjinë, si edhe të forcojë monitorimin, kontrollin e cilësisë dhe gjurmueshmërinë e çdo instrumenti të sterilizuar.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se zgjerimi i kompetencave të OSHISH është pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e kapaciteteve publike në sektorin e shëndetësisë. Objektivat kryesore janë rritja e sigurisë së pacientëve, ulja e infeksioneve të lidhura me kujdesin shëndetësor, përmirësimi i efikasitetit operacional, optimizimi i përdorimit të fondeve publike dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale, në përputhje me standardet më të mira evropiane për menaxhimin e shërbimeve shëndetësore.


