Rama: Presidenca hungareze e BE-së, rol të rëndësishëm në çeljen e negociatave
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot nga Luksemburgu rolin e Presidencës hungareze të Bashkimit Evropian në nxitjen e procesit të çeljes së negociatave për Shqipërinë.
Pas mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian në Luksemburg, kryeministri Rama doli në një deklaratë të përbashkët për mediet me Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.
Shqipëria shënon sot një tjetër moment historik në procesin e Integrimit Evropian, çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian për grup-kapitullin e parë.
Zhvillimi i Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian për këtë grup-kapitull.
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni dhe Marrëdhëniet me jashtë.