Rama në komisionin hetimor për mbetjet: Makineria shtetërore ka bërë perfekt punën në vendimmarrje
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në një seancë dëgjimore në komisionin hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve, se “makineria shtetërore ka bërë perfekt punën në vendimmarrje”.
Kryeministri kërkoi që kryetarja e komisionit të mos eksportojë debatin parlamentar dhe atë televiziv, në mbledhjen e këtij komisioni”.
“Kam ardhur në këtë komision, jam njohur me detyrimet e mia si dëshmitar dhe detyrimet tuaja si anëtare dhe kryetare. Ligji për komisionet hetimore parashikon se komisionet hetimore nuk mund të ngrejnë akuza penale dhe as të ushtrojnë atributet e gjykatës. Në asnjë rast nuk lejohet që anëtarët e komisionit të prekin dinjitetin e personave të thirrur. Këtë e keni bërë në mënyrë të përsëritur, keni përsëritur akuza për grup të strukturuar kriminal”, tha Rama.
Kryeministri tha se nuk jam këtu për të zbardhur ndonjë aferë. “Afera është në opinionin tuaj, që e keni shprehur në parlament, televizion, rrjete sociale, por këtu nuk mund ta shprehni”, tha Rama.
Pyetjes së Tabakut se 3 progresraportet e BE-së kanë shprehur shqetësimin për impiantet, Rama iu përgjigj duke theksuar se “BE ka shprehur shqetësim, sepse nuk është zgjedhja më e preferuar”.
“Po të shikoni progresraportet flasin për nivelin shumë të ulët të ndarjes së mbetjeve në burim apo nivelin shumë të ulët të riciklimit. Sepse këto janë preferencat e BE-së. Ne nuk kemi ndërtuar inceneratorë, por impiante të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë. Incenerimi është pjesë e këtij procesi. Inceneratorët nga ana tjetër janë impiante që e djegin komplet produktin dhe nuk prodhojnë energji. Është e vërtetë që nuk është zgjedhja më e preferuar e BE-së, por ndërkohë edhe vendet me standardet më të larta mjedisore si Serbia apo Danimarka vazhdojnë të ndërtojnë impiante përpunimi”, tha Rama.
I pyetur mbi vendimmarrjen në mbledhjen e qeverisë së datës 17 dhjetor 2014, Kryeministri Rama tha se “i keni marrë të gjithë këto përgjigje nga dëshmitarët paraardhës”.
“Kryeministri zgjidhet për të udhëhequr. Për të thënë çfarë do të bëjmë, ku do të shkojmë dhe pse do e bëjmë dhe pastaj si do e bëjmë këtë gjë? Dhe ka një makineri shtetërore që është aty për të bërë punën e vetë. Dhe kjo makineri shtetërore ka bërë detyrën e vet”, tha Rama.
Po ashtu, Rama tha se “lidhja e mbledhjeve të qeverisë, vendimeve dhe zinxhirit më tej me akuzën ndaj ministrit Koka është abuzive”.
“Kjo nuk do të thotë se plehrat nuk janë pastruar, impiantet nuk janë ndërtuar apo se revolucioni për ta transformuar Shqipërinë nga një gropë plehrash në mes të Europës në një vend që nuk mbytet nga plehrat, nuk ka shkuar para falë të gjithë këtyre vendimeve”, tha Rama.
Rama tha se “në Elbasan dhe në Fier janë ndërtuar 2 vepra për të cilat unë jam krenar”.
“Jam krenar për faktin se në vitin 2013 vetëm gjysma e popullsisë mbulohej me shërbimin e grumbullimit të mbetjeve. Në 2013 kishte vetëm 2 impiante të trajtimit të mbetjeve, një në Bushat, i vetmi me standard dhe tjetri ishte Sharra që kaloi në emergjencë totale. Sot kemi 5 impiante”, tha Rama.
I pyetur mbi financimin prej 100 milionë eurosh nga buxheti i shtetit të impianteve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, Rama tha se “këto 100 milionë euro të paguara nga buxheti i shtetit janë fantazi e juaja”.
Kryeministri sqaroi se “buxheti i shtetit ka paguar 30.6 milionë euro për Elbasanin dhe 24.7 milionë euro për Fierin”.
“Këto bëjnë 55.3 milionë euro dhe këtu mbaron puna e buxhetit të shtetit për këto investime. Se ku i gjeni ju 430 milionë euro këto do trajtohen rrugës. Por së pari më jepni dokumentin ku shkruhet 100 milionë euro. Habitem se pse thoni 100 dhe nuk i bëni 1 miliard euro”, tha Rama.