Bashkimi Europian i ka akorduar Ukrainës 3.47 miliardë euro për të mbështetur blerjen e dronëve dhe pajisjeve të tjera të mbrojtjes ajrore, në kuadër të paketës së financimit prej 90 miliardë eurosh të bllokut.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se mbështetja e re është një sinjal i qartë i angazhimit të BE-së ndaj Ukrainës.
“Kjo mbështetje e re përcjell një mesazh të qartë: çdo sulm rus forcon vendosmërinë e Ukrainës për të qenë e lirë dhe vendosmërinë tonë për të qëndruar pranë Ukrainës, për aq kohë sa të duhet”, tha von der Leyen.
Sipas Komisionit Europian, fondet do të përdoren për blerjen e dronëve, përfshirë dronë me motor reaktiv me rreze të gjatë veprimi, si dhe raketa dhe avionë luftarakë “Gripen”.
Komisioni Europian bëri të ditur gjithashtu se financime të tjera për Ukrainën pritet të miratohen në javët e ardhshme.


